Nga Enver Robelli
Që nga shpallja e pavarësisë, për dhjetë vjet me radhë, shoqëria e Kosovës ka lejuar e toleruar që një kastë politike e përbërë nga vjedhësit ta mbysë besimin e shumë njerëzve që Kosova mund të jetë shtet. Në këto situata, dalin njerëz e flasin kotësina kundër «kombit kosovar», i cili – për arsye historike – nuk shihet në horizont.
***
Muhabetet për «kombin kosovar» janë vetëm ikje nga debati kryesor: sa është përgjegjësia e pjesëmarrësve në jetën publike në lëkundjen e besimit në shtetin e Kosovës? Për fajin e politikës folëm. Po shoqëria civile? Një pjesë e mediave që pa asnjë bazë i fryjnë çdo debati që polarizon shoqërinë? Po kompromiset e jo pak njerëzve për pak favore nga pushtetet? Po heshtja e botës akademike? E shkrimtarëve? Kush i ka ikur ballafaqimit direkt me të keqen në dekadën e fundit, e ka lehtë që tani të thotë: s’po bën Kosova shtet, hajde të bashkohemi me Shqipërinë.
***
Në zgjedhjet e 6 tetorit shoqëria kosovare demonstroi gjithsesi vullnet për të ndërtuar një shtet funksional. Fitoi bindshëm opozita – një parti relativisht e re si VV dhe një parti me traditë të gjatë në politikë (me periudha shkëlqimi dhe faza dështimi) si LDK. Forcat e vjetra dhe të diskredituara nuk morën përkrahjen që dëshironin.
***
Albin Kurti nuk u bë lideri më i votuar në Kosovë për shkak të retorikës patriotike panshqiptare, por për shkak të premtimit se do të pastrojë shtetin nga krimi e korrupsioni. Ky ka qenë motivi kryesor i shumë njerëzve për ta votuar. Nëse si kryeministër humb kohë me politika simbolike dhe nuk merret me zgjidhjen e problemeve të përditshme të qytetarëve, shumë shpejt do të bie entuziazmi për Kurtin. Është me rëndësi të dëgjohet jo për çka po flet Kurti, por për çka nuk po flet. Nuk po flet kundër flamurit të Kosovës, nuk po premton bashkim me Shqipërinë, sepse e di që para se të ndodhë kjo duhet të kryehen edhe nja një mijë punë të tjera në Kosovës (plus të ndryshojë komplet politika perëndimore ndaj Ballkanit, që nënkupton jo vetëm hapjen e temës së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë). Nuk po flet Kurti për ftesat e Gjykatës Speciale, sepse e di (ose po e kupton) që as sistemi gjyqësor, as një pjesë e madhe e shoqërisë nuk është e gatshme të ballafaqohet me të kaluarën. Sepse të ballafaqohesh me të kaluarën domethënë të kesh prokuror që për vrasjen e Haki Imerit fokusohet te shumica e anëtarëve të «Grupit të Drenicës» (me lidhje të thella me grupe kriminale nga Prishtina dhe treva e Llapit). Sepse të ballafaqohesh me të kaluarën domethënë t’i dërgosh në burg ata që zhdukën pa gjurmë edhe rivalët brenda subjektit të tyre politik. Pa e zgjatur këtu me kapitullin e sulmeve ndaj pakicave sidomos pas përfundimit të luftës. Kush s’dëshiron të merret me këto tema, e nxjerr nga sirtari temën e përhershme të «kombit kosovar».
***
Mosgatishmëria për t’u marrë me problemet kryesore të shoqërisë – krimet e pazbuluara, jo pak kriminelë të pajisur me pushtet, ekonomia në duar të një grupi politiko-oligarkik, deformimet e rënda në jetën publike, ku oportunizmi shihet si vlerë – të gjitha këto kanë ndikuar që të harxhohet shumë kohë për një debat mes grupeve të thellura në baltën e istikameve. Metoda më e ulët për të diskualifikuar tjetrin është ta shpallësh «projugosllav» nëse ende beson se Kosova mund të jetë shtet. Por nuk është e thënë të jetë përherë kështu. Me ndërrimin e gjeneratave në politikë dhe evoluimin shoqëror do të ketë ndryshime edhe në parti si PDK. Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë ndodhi diçka e paimagjinueshme: kishte brenda PDK-së zëra të guximshëm që atakuan kolegët e tyre për vjedhje votash e deformim të procesit demokratik. Sa më shumë që të ketë kritikë të tillë në çdo parti, edhe më mirë për demokracinë.
***
Kosova duhet të bëhet njëherë shtet funksional. A bëhet komb a jo – këtë e tregojnë pastaj zhvillimi ekonomik, arsimor, ndjeshmëria rajonale apo kombëtare. Më shumë është për të besuar se njerëzit nuk heqin dorë nga shqiptarësia e tyre (pse të heqin?), por do të zhvillojnë një krenari rajonale dhe të bazuar në histori, natyrisht nëse Kosova bëhet shtet funksional. Nuk duhet të jetë në interesin e askujt që Kosova të bashkohet me ndonjë territor tjetër pasi të ketë imazhin e një Jemeni apo Somalie ballkanike pa perspektivë.
***
Në perceptimin konservator shtetet nacionale kanë një gjuhë të përbashkët, së paku, mirë do të ishte edhe feja e përbashkët. Ka kundërshembuj: Zvicra i ka katër gjuhë. Fe? Kushedi sa. Katolikë, protestantë, myslimanë (gjithnjë e më shumë). A domethënë kjo që Zvicra nuk është shtet kombëtar? Çka mund të themi sa i përket lojalitetit kombëtar nëse në vitin 2045 parlamenti i Zvicrës e zgjedh ministër të Mbrojtjes një person me mbiemrin Kelmendi apo Berisha, i cili thotë se është mysliman jofetar dhe se çdo të diele me gruan e tij katolike nga Kongoja i dërgojnë fëmijët në meshë? Nëse substrat i përbashkësisë nuk janë gjuha e feja, si u bë kombi zviceran? Vullneti e bëri. Vullneti i përbashkët. Në rastin e kombit nga vullneti pyetja, sipas profesorit dhe diplomatit zviceran Paul Widmer, nuk është se çka dëshiron shteti për qytetarët e tij, por çka dëshirojnë qytetarët për shtetin e tyre? Kombi prej vullneti nuk lind nga vullneti i qeverisë, por nga vullneti i qytetarëve. Vetëm ata e shprehin vitalitetin e kombit.
***
Dijetari i madh francez Ernest Renan më 1882 mbajti në Sorbonne të Parisit ligjëratën e tij të famshme: «Ç’është kombi?» Duke marrë Zvicrën si shembull ai tregoi se çka është një komb prej vullneti: «un plébiscite de tous les jours», një plebishit i përditshëm dhe popullor, do të shtojmë këtu. Kjo domethënë: janë qytetarët që duhet të tregojnë se çfarë shteti duan. Por, nuk mjafton vullneti, duhet të ketë edhe qëllim. Kjo i duhet edhe Kosovës: një definiicon për shtetin. Pjesën tjetër të përgjigjjes e jep e ardhmja. Por në këtë ardhmëri shqiptarët nuk janë lojtarë të vetëm.