Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se ka shprehur pikëllimin e tij lidhur me dhunën në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, gjatë një telefonate që zhvilloi të martën me homologun e tij izraelit, Isaac Herzog. Lideri turk ka paralajmëruar se statusi i saj nuk duhet të ndryshojë.
Deklaratat e Erdoganit vijnë pas përleshjeve në fundjavë midis palestinezëve dhe izraelitëve në këtë vend të shenjtë. Sipas raportimeve, 170 persona janë plagosur, shumica protestues palestinezë që janë përleshur me forcat e sigurisë së Izraelit. Dhuna vjen pothuajse një vit pas tensioneve të ngjashme që nxitën një konflikt 11-ditor midis Izraelit dhe grupeve militante në Rripin e Gazës.
Al-Aksa konsiderohet vend i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë. Pas fundjavës të përshkuar me dhunë, tensionet u përshkallëzuan më tej me Izraelin që kreu sulmin e parë ajror pas disa muajs në Rripin e Gazës. Sulmi që ndodhi mëngjesin e së martës goditi zonat e banuara nga palestinezët.
Lideri turk po ashtu përsëriti thirrjet e tij që të gjithë “të bëjnë të gjitha përpjekjet” që ky vend shpirtëror dhe i shenjtë të ruhet.
Erdogan, një avokues i çështjes palestineze, në të kaluarën ka kritikuar politikat izraelite kundrejt palestinezëve. Turqia ka raporte me Hamasin, që kontrollon Gazën që prej vitit 2007.