Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Izraeli po tenton që të parandalojë të dëgjohet persekutimi që ndodh duke ndërprerë komunikimin e banorëve të Gazës me botën.
Ai dërgoi një videomesazh në Samitin Ndërkombëtar të Komunikimit Strategjik, që po zhvillohet në Stamboll, ku theksoi se samiti këtë vit po mbahet në një periudhë dhimbjeje të papërshkrueshme.
“Civilët e shënjestruar qëllimisht nga Izraeli nuk kufizohen vetëm me fëmijë dhe gra. Izraeli gjithashtu vret edhe gazetarët të cilët përkundër të gjitha vështirësive përpiqen që tragjedinë humanitare në Gaza t’ia përcjellin botës. Në sulmet izraelite deri më sot janë masakruar mbi 60 gazetarë. Izraeli i cili në mënyrë të qartë kreu një krim lufte duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike, ujë, karburant dhe ushqim, po përpiqet gjithashtu që të parandalojë të dëgjohet persekutimi që ndodh duke ndërprerë komunikimin e banorëve të Gazës me jashtë”, deklaroi ai.
