Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tronditi sot Evropën pasi njoftoi zbulimin e ri prej një sasie kolosale që fillon me 135 miliardë metra kub gaz natyror në Detin e Zi. Gjetja e sasisë rekord vjen, pas një zbulimi historik vitin e kaluar, duke ndikuar shumë që Turqia të forcojë pozitat e saj si superfuqi jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
“Anija jonë e shpimit Fatih ka bërë një zbulim të ri të gazit natyror prej 135 miliardë metrash kub në pusin Amasra-1 në fushën e gazit Sakarya”, tha sot Erdoğan në ceremoninë e hapjes së Portin Filyos dhe objektit të Operimit të Gazit Natyror në Detin e Zi në provincën Zonguldak.
Duke theksuar se zbulimi i përgjithshëm i gazit natyror të Turqisë në Detin e Zi ka arritur në 540 miliardë metra kub, presidenti Erdoğan tha se aktivitetet e shpimit në rajonin e pusit Amasra-1 janë në vazhdim dhe “ne presim lajme të reja të mira nga ky rajon”.
Kjo do të thotë se në territoret detare të kontrolluara nga Turqia, pritet të zbulohen edhe shumë sasi të tjera marramendëse.
Presidenti gjithashtu vuri në dukje se planifikojnë të sjellin gazin natyror nga deti në tokë në tre faza.
Faza e parë përfshin sistemet e prodhimit të gazit natyror që do të vendosen në shtratin e detit, tha ai, duke shtuar se faza e dytë do të përfshijë fillimin me punë të objektit që do të përpunojë gazin natyror në tokë dhe do ta bëjë të gatshëm për përdorim.
“Faza e tretë është tubacioni që do të sigurojë lidhjen midis sistemit në det dhe objektit në tokë,” vuri në dukje ai.
Anija turke e shpimit Fatih zbuloi 405 miliardë metra kub gaz natyror vitin e kaluar, në zbulimin më të madh në historinë e vendit dhe zbulimin më të madh të gazit në det të hapur në të gjithë botën. Zbulimi u bë në vitin 2020 në pusin Tuna-1 që ndodhet rreth 170 kilometra larg bregut të provincës turke Zonguldak. Fatih shpoi puset e testimit Turkali-1 dhe Turkali-2 pas zbulimit të madh së bashku me pusin Amasra-1.
Prodhimi i parë i gazit nga Sakarya është planifikuar për vitin 2023. Rreth 155 kilometra tubacion do të ndërtohet nga poshtë detit deri në Filyos në Zonguldak.
Sipas të dhënave të Autoritetit Rregullator të Tregut të Energjisë të Turqisë, prodhimi i gazit natyror të Turqisë arriti në 441 milionë metra kub në vitin 2020.
Turqia po kërkon gjithashtu gaz natyror në Mesdheun lindor, duke u afruar shumë në zonat detare pranë me vendet fqinje si Qipro dhe Greqia.