Deputeti socialist Erion Braçe reagon pas ngjarjes së rëndë ditën e sotme në Lezhë, ku një 21-vjeçar i dyshuar për kultivim droge qëlloi për vdekje efektivin e policisë Saimir Hoxha.
Braçe thotë në një reagim në rrjetet sociale se lufta e shoqërisë është kundër modelit të pasurimit në mënyrë të shpejtë nga paratë e drogës.
Ai shkruan tregu i krimit në Londër, Roterdam apo Madrid me “shtëpitë e barit”, po konkurrojnë punën e ligjshme dhe të ndershme.
Reagimi i plotë i Braçes:
KUR KY VEND HUMB NJË VAJZË/GRUA;
KUR KY VEND HUMB NJË SHËRBYES SHTETI/OFICER POLICIE;
KUR KY VEND HUMB NJË PUNËTOR, BURRË APO GRUA QOFTË;
KY VEND KA DITËN E TIJ MË TË TRISHTË!
Saimir Hoxha ishte një shërbyes i shtetit;
Një oficer i policisë së shtetit në detyrë kundër krimit, kultivimit dhe tregetisë së drogës.
U vra sot në krye të detyrës!
Vrasësi u kap;
Ushtar i një modeli që meriton luftën tonë, si shoqëri, jo thjesht si polici.
Është modeli i parave të shpejta, të ardhura nga droga, kultivimi dhe tregetia e saj tek të rinj që shkatërrohen prej saj.
Tregu i krimit këtu në fusha, në Londër, Roterdam, Madrid në shtepitë e barit, është ai që konkuron punën e ligjshme e të ndershme, të ardhurat që burojnë prej saj.
Kur flas për rrogat e punës së ligjshme e të ndershme, dua që të fitojmë betejën mbi tregun e krimit;
Kur flas për betejë të shoqerisë kundër kultivimit dhe tregtisë së drogës, dua të bëjmë e fitojmë betejën pa mëshirë kundër tyre, si qytetare, prindër, mësues, të rinj, policë, prokurorë, gjykatës;
Kundër ekonomisë së tyre kriminale, kundër parave të tyre!
Duhet ta bëjmë, tani!
Nuk mund ta pranojmë si normalitet, “dëme” të pranueshme në një luftë!