Deputeti socialist Erion Braçe ka rikthyer në vëmendje ambicien e tij për të garuar për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore që pritet të zhvillohen në vitin 2027.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe shprehet se, nëse zgjidhet kryebashkiak, do t’i shërbejë Tiranës, ndërsa nënvizon se gjatë ditëve të fundit ka marrë mesazhe nga qytetarë të ndryshëm lidhur me personat që po përfliten si kandidatë të mundshëm për drejtimin e bashkisë.
Sipas tij, disa personave u është thënë se “duhet të punojnë” pasi mund të jenë kandidatë të mundshëm, ndërsa të tjerë kanë marrë sinjale të ngjashme. Braçe e sheh këtë si një tregues se brenda Partisë Socialiste ka interes dhe lëvizje për garën e ardhshme.
“Nuk ka gjë më të mirë që PS të ketë alternativa për kandidatin e kryetarit të Bashkisë”, shprehet Braçe.
Deputeti socialist thekson se nuk ka pritur një konfirmim zyrtar për të nisur punën në terren. Ai thotë se ka ndjekur nga afër problematikat e banorëve të Tiranës, duke u njohur me shqetësimet e tyre në rrugë dhe lagje të ndryshme të kryeqytetit.
Braçe shprehet gjithashtu kundër një procesi ku kandidatët e mundshëm thjesht bëhen publikë përmes një njoftimi dhe më pas votohen. Sipas tij, qytetarët dhe socialistët duhet të kenë një rol më të madh në vendimmarrje dhe në përzgjedhjen e kandidatit.
“Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është!”, shkruan Braçe.
Ai argumenton se Tirana ka nevojë për një ndryshim në mënyrën se si përfshihen qytetarët në procese të tilla, duke theksuar se vendimmarrja nuk duhet të kufizohet vetëm te njoftimi i kandidatëve.
“Socialistët, para së gjithash, por edhe njerëzit më gjerë – sidomos në këtë qytet – duan të jenë pjesë e vendimmarrjes, jo të marrin dhe të votojnë njoftime si produkt i një vendimmarrjeje që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë dhe që nuk i përfshin”, shprehet ai.
Braçe e mbyll mesazhin duke theksuar se kjo mënyrë vendimmarrjeje duhet të ndryshojë dhe se Tirana e meriton një qasje të tillë.
