Nga Erion Kristo
Po i rikthehemi idesë së grimcave nga jeta jonë. Është një ide fituese. Vetë ne jemi të përbërë nga grimca. Ndaj grimcat duhen marrë në konsideratë. Jetojmë në një botë shumë dinamike. Askush nuk ka as kohë as nge të ulet e të lëçisë një shkrim të stërgjatë mbi një çështje. Ajo çka duam është që të japim shumë këndvështrime, shumë qasje, shumë ide, brenda një shkrimi të vetëm. Le ta quajmë një multivitaminë, për thjeshtësi. Çdo gjë e krijuar nga njeriu ka një pafundësi formash. Sepse ashtu siç kemi një tank, do të kemi dhe një antitank. Dhe nëse nuk doni ta quani shkrim, le ta quajmë këtë një antishkrim, në vazhdën e një antiromani, apo të diçkaje të këtillë. Ky sqarim nuk është i çuditshëm, por kuptohet më qartë nëse lexoni pjesën hyrëse të shkrimit të parë me titull “Grimca nga jeta jonë e hallakatur”.
Do ta fillojmë sërish me opozitën. Ngase opozita është shumë e rëndësishme. Sot, gjasat që të kërkojmë ndryshime në mazhorancë janë pothuaj zero. Dhe nëse nuk kërkojmë dhe nuk arrijmë ndryshime në opozitë, edhe jeta jonë do të ndryshojë në nivelin zero, pra hiçfare. Dhe për të gjithë ata që mëtojnë se është e ndaluar të bësh opozitën e opozitës, kemi një fjali të vetme: ashtu siç njeriu duhet t’i bëjë opozitë edhe vetes, se përndryshe e merr lumi; ashtu si shoqëria duhet t’i bëjë vetes opozitë, se përndryshe bjerret; ashtu siç biznesi bën audit; në të njëjtën vijë logjike duhet që t’i bëjmë dhe opozitë opozitës. Nëse mendohet se opozita nuk ka gjë në dorë, atëherë ky është një akt i rëndë mendor dhe qytetar, që kërkon të shfajësojë thjesht e qartë. Opozita ka shumë në dorë. Ajo është jo vetëm kundërshtuese, por dhe propozuese. Opozita ka në dorë që të jetë shembull, etj. Mund të themi shumë në këtë drejtim, por qëllimi i shkrimit nuk është të tjerrim gjatë, por të shkruajmë shkurt. Dhe nëse fisheku nuk hyn në tabelë, do përfundojë në ndonjë mullar. Gjë që nuk do ta donim. Dhe opozita sot është paksa e mekur. Kaq donim të “thonim” me këtë. Se opozita ka dëshirë të rehatohet nëpër vila luksoze, ndërkohë që populli vuan. Është pak kundërthënëse, ose autogoliste.
***
Kemi folur për rastet e pafund të humbjeve të jetëve të shqiptarëve jashtë atdheut. Është e qartë që do ketë të tilla. Janë mbi një milion e gjysmë shqiptarë jashtë. Dhe fati nuk të vjen gjithmonë në formën e buzëqeshjes. Por ndërkohë që e kemi sqaruar këtë me kohë, bashkë me nevojën për të pasur një kujdes më të madh për shqiptarët jashtë atdheut, jo thjesht si detyrim kushtetues, por dhe qytetar, nuk mund të mos vëmë re humorin e thellë që ka shteti shqiptar lidhur me këtë çështje. Le të kujtojmë rastin Alvin Berisha dhe dështimin flagrant të shtetit me të. Sapo të tjerët i nxorën gështenjat nga zjarri për llogarinë tonë, ja ku shfaqet shteti si fajkua që do pjesë nga preja e luanit. Shteti kërkon të duket sikur është, edhe pse ne, një shumicë, jemi të bindur që nuk është. Shteti kërkoi pjesën e vet të lavdisë në një situatë kur gjithë populli ynë u angazhua emocionalisht, por dhe disa prej nesh konkretisht. Shteti nëse e ka këtë ndjesi proshqiptare, le të kujdeset për fëmijët e tjerë. Le t’i shpëtojë ata. Nëse është kaq i ndjeshëm dhe serioz. Kjo do të ishte një përgjigje reale ndaj kritikave. Flasim për fëmijët në kampet e ISIS, por dhe nëpër kampet e refugjatëve kudo nëpër Evropë. Por dhe fëmijët e tjerë që janë deklaruar të zhdukur, e të tjerë të trafikuar, e të tjerë me probleme të tjera. Pra, që ta themi qartë, nëse shteti ka para për të blerë bileta avioni për ministrin, thjesht sa për t’u dukur si shtet interesant, le t’i përdorë më mirë burimet e veta, për të sjellë ndryshime reale në jetën e njerëzve, e jo thjesht në imazh.
***
Nuk e di pse në këtë pikë të shkrimit, të vjen të flasësh për çështjet rinore. Spikati këtë javë miratimi i Ligjit për Rininë. Ishte një nga gjetjet më të bukura të qeverisë për të përvetësuar kauzën rinore, në kuptimin e ngushtë partiak. Pra, u miratua një ligj i cili u akuzua gjerësisht nga shoqatat rinore si ligj i projektuar politikisht dhe ngushtësisht politikisht, sidomos në atë aspektin e çuditshëm që shteti përcakton një shoqatë të vetme ombrellë për rininë, me të cilën punon dhe i jep fonde. Ishte një mënyrë gjeniale që freshistët të marrin dhe ca para të tjera nga buxheti i shtetit, se nuk mjaftojnë ato para që marrin në emër të shoqërisë civile. Pra, partia dhe shoku Enver po kujdesen për rininë: bënë një ligj për të. Ndërkohë ligji i vërtetë i rinisë është braktisja, ikja nga sytë këmbët, mungesa e shpresës. Në këtë mungesë shprese, vjen dhe qeveria dhe u fut një thikë pas shpine të rinjve. Kjo botë nuk mund të jetë e tyrja, por e forumeve rinore që maskohen si shoqëri civile. E admirojmë shkallën e lartë të djallëzisë. Nëse nuk na besoni, po ju japim një detaj të përkryer nga ligji: Kryetari vendor i Këshillit Rinor vendor është kryetari përkatës i bashkisë. “Këta” të bëjnë të qeshësh me zor, edhe pse të vjen për të qarë. E kanë këtë fuqi.
***
Përsëri Hallouini u festua në mënyrë madhështore në vendin tonë. Kësaj here, ishte sistemi ynë arsimor ai që ishte shtysa kryesore. Por dhe biznesi nuk mbeti prapa. Histeritë kolektive vijojnë.
***
Edhe në shkrimin e shkuar folëm për deputetët e Kuvendit. Midis tyre për Ditmir Bushatin dhe për Rudina Hajdarin. I pari vazhdon të mos jetë dakord me disa gjëra që bën mazhoranca dhe duhet përkrahur. E dyta po e forcon grupin e vet parlamentar me pesë deputetë. Por spikat dhe Ralf Gjoni, që ka vënë një veto për ndryshim sistemi. Ai ka kërcënuar se do dalë nga Kuvendi nëse nuk ka ndryshim sistemi. Ai ka marrë mbështetje për këtë dhe nga faktori ndërkombëtar. Kuptohet që një masë dërrmuese popullore po kërkon ndryshime të mëdha në jetën e vendit: në aspektin politik, kushtetues dhe zgjedhor, si dhe në menaxhimin e resurseve të vendit dhe të shtetit. Pra, duhen reforma të thella. Në këtë pikë, ata që i kanë në dorë reformat, po vazhdojnë me kokëfortësi të mos e kthejnë kokën fare nga halli i popullit, duke e hedhur poshtë thënien e lashtë: Ku dhemb dhembi shkon gjuha. Ata nuk e çojnë në botë gjuhën aty ku u dhemb njerëzve. Ata janë shkaktari i dhembjes. Por duhet ta pranojmë së kanë një humor të paparë, sidomos kur gjetën mënyrën e artë për të shmangur vëmendjen publike nga Ligji i Korporatës, duke ia vënë recitimin në gojë një deputeteje që ta shtrembëronte në mënyrë sublime. Të gjithë u morën me deputeten, pakkush u mor me ligjin. Nuk duam të themi se janë gjenialë në këtë. Ata imituan trashë shembullin e Alqiviadhit, i cili i preu bishtin qenit, në mënyrë që njerëzit të mos flisnin për të, po për qenin. Dhe ia dolën. Antikiteti të ndihmon. Por dhe Kujtim Gjuzi është kthyer në superstar televiziv. Çdo ditë, bëmat e tij postohen nga të gjitha portalet: komunikimet e tij me femra, me meshkuj-femra, me femra-meshkuj, etj. Përfytyroni pak: dhe ne ramë në kurthin e tij, duke e përmendur. Kjo tregon se dhe ai ka një mjeshtër PR, ashtu si Kryeministri. Pra, mjeshtri i PR të Kryeministrit është i sfidueshëm.
***
Kohë më parë, njerëzit e drogës e kishin kokën në torbë. Ata rrezikoheshin nga shteti. Sot, ata kanë futur gjithçka në torbë. Edhe shtetin.
***
Shpesh thuhet se njeriu është ajo çka ai bën. Dhe ka shumë të vërtetë brenda kësaj fraze. Por në gjykimin tonë, njeriu përkufizohet dhe nga ajo çka nuk bën. Dhe ky përkufizim vlen dhe për një shoqëri. Nuk duam ta sqarojmë këtë pikë, për t’u ruajtur nga ndonjë plagjiaturë. Dhe nëse ndokush thotë se kjo dukuri nuk është mbizotëruese, ne themi: Flisni pak me VladimirKolën. Një njeri me një laptop i ka nxjerrë ujë të zi gjithë elitës akademike shqiptare që është më OMGJ se ato domatet që bëhen me gjilpëra, apo se ata bostanët që shartohen me kungull. Po kjo është një çështje tjetër dhe nuk duam ta përziejmë me intuitën tonë. Shoqëria shqiptare duhet të përkufizohet dhe nga ajo që nuk bën. Më së shumti. Kjo vlen dhe për elitën intelektuale. Mos u mërzitni për këtë. Ne kemi rënë pre e asaj që nuk bëjmë. Kjo më kujton atë shprehjen e bukur të lojës fëminore: Pa fol, pa qesh, vëri duart mu në mes.
***
Në Shqipëri, gjobëvënia është diçka që merret shumë seriozisht nga shteti, media dhe krimi.
***
Lidhur me të ashtuquajturën reformë zgjedhore, kemi nja dy komente të vogla. Janë mbledhur rreth 200 burra e gra në një sallë, a thua sikur çfarë do bëjnë. Ata po diskutojnë për disa pika, që kanë rëndësi, por që nuk janë thelbi. Ata po diskutojnë lidhur me përdorimin e administratës publike (edhe sot ka pengime për këtë, po prapë nuk pijnë ujë); po diskutojnë për rritjen e numrit të grave të zgjedhura (ka ligj për këtë, po prapë nuk pi ujë); po diskutojnë për financimin e partive (diçka ka dhe për këtë, po prapë nuk pi ujë), etj. etj. Janë rreth 20 pika që po diskutohen. Ndërkohë thelbi i problemit është: shtrembërimi i vullnetit të zgjedhësve nga lart-poshtë, përmes bandave dhe gjithë trysnisë së pushtetit. Kjo trysni ushtrohet direkt në shtëpitë e njerëzve dhe s’ka ligj që e zgjidh, sepse është çështje e vullnetit politik.
***
Shpeshherë thuhet se Shqipëria është një vend rural, pra që ka një përqindje të madhe të popullsisë që jeton në fshat. Gjë që nuk është e vërtetë. Ndoshta shqiptarët jetojnë në fshatra, po jo në vendin tonë. Fshatrat gjithandej janë të braktisur. Kanë mbetur vetëm pleq e plaka. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që marrim ftonj e hurma nga Greqia, patate nga Gjermania apo hudhra nga Kina.
***
Këto ditë kaloi si pa u ndier një ngjarje e jashtëzakonshme për nga dimensionet: Rrëzimi i Murit të Berlinit 30 vjet më parë. Muri i Berlinit ra. Po Muri që ngritëm mes njëri-tjetrit këta 30 vite, kur do bjerë? Po muri i traut të Kukësit? A ka rënë vërtet komunizmi? Nisur nga shumë pamje dhe mendësi e shfaqur jo vetëm në qeverisje, por dhe në simbole, zor ta themi që Muri ynë ka rënë.
***
Shqiptari nuk duron dot t’i zësh rrugën katër sekonda me makinë. Por duron gjithmonë katër vjet një qeveri që i zë rrugën për në Evropë. Dhe e voton sërish madje.
***
A i keni bezdi ata njerëzit që në rrugë ju bëjnë pyetjen e famshme: A di kush jam? Kjo ideja që njerëzit mendojnë se kemi dalë në rrugë për të luajtur me fjalëkryqe, duhet të marrë fund. Bashkë me këtë ide qesharake e të pakulturuar, duhet të marrë fund dhe ideja qesharake e vendosjes së emrave të individëve, sidomos institucioneve që janë në rang kombëtar. Institucionet kombëtare nuk mund të marrin emra individësh. Ato nuk mund të privatizohen, as të përvetësohen. Ne nuk kemi individë të tillë që t’i jenë imponuar botës me gjenialitetin e tyre, si p.sh. Tesla, apo Ajnshtajni. Në rastin e tyre mbase do të pranohej. Po në rastet e tjera, duhet të bëjmë durim. Gjithë procesi i emërtimeve në Shqipëri duhet të ndryshojë. Duket shumë proces i dyshimtë. Emrat nuk janë baras me vlerat. Institucionet qendrore duhet të jenë impersonale, pra të papersonalizuara. Ato duhet të mbartin vlerën e institucionit, jo të njeriut. Vendi ynë e ka këtë specifikë. Ne i ngjisim emrat me lehtësi. Ja shikoni këtë humorin me emrin e stadiumit. Është kthyer në një tender.
***
Portalet shqiptare nuk kanë asnjë grimë respekti për dinjitetin njerëzor. Po nuk janë ato të parat në radhë në këtë konkurrim.
***
Këtë javë është Panairi i Librit. Le t’i japim peshën e duhur dhe ta kthejmë në një festë të librit. Këshilla jonë është shumë e thjeshtë: Panairi i Librit nuk është shëtitje nga Liqeni Artificial. Kur të hyni aty, blini dhe ndonjë libër. Merrni pjesë dhe në takime me shkrimtarët. Sillni fëmijët. Sepse kur fëmijët lexojnë, ata mund të bëhen të rritur me mend.
***
Duam gjithashtu të bëjmë dy pyetje: 1. Ku shkoi ai droni i famshëm që kapte shkeljet rrugore? 2. Ai t’ua shkulim fëmijëve celularin nga duart?
***
Këtë shkrim po e mbyllim me një frazë që duhet menduar mirë: Është plotësisht e mundur të keni një mendim të ndryshëm nga mendimi im, pa më ofenduar mua.