Vizita me pneumolog te Spitali Hygea 120 mijë lekë! Doktor Roland Kore, një turp e faqja e zezë!
Pasi bëra skanerin te “Turkish International Hospital”, lë të nesërmen një vizitë me pneumologun, rekomanduar edhe nga mjeka ime e familjes, si hapi i radhës që duhej ndërmarrë për të shikuar nëse janë prekur mushkëritë. Dhe nëse po, deri në çfarë faze. Lë orar për të enjten (26.11.2020) në orën 10.30 të Spitali Hygea, me pneumologun Roland Kore.
Një nga vajzat që presin pacientë në këtë spital më kërkoi dhe lexoi fletën e skanerit. Më njoftoi se vizita kushtonte 120 mijë lekë (të vjetra), meqë isha pacient i dyshuar me Covid. U përtypa nja dy herë, por pranova duke bërë pagesën në arkë. Për këtë lloj vizite nuk pinte ujë as karta e sigurimit që ne kemi nga kompania TCH, nga e cila përfitojmë ulje për ekzaminime dhe analiza thuajse në të gjithë spitalet dhe laboratorët e Tiranës.
Për parantezë, përgjigja e skanerit të lexuar dhe interpretuar nga mjekja imazheriste Arjana Sina (për momentin këtë e mbajnë për nga më të mirat në Tiranë), fliste mes të tjerash për “trashje difuze të mureve të bronkeve” (lezione) dhe për “Zonë diskrete hiperdensiteti intersticiale pulmonare e tipit ground-glass, në lobin media pulmon dexter, e cila duhet të ndiqet në dinamikë për fillimin e një pneumonie”. Kur mjekja e familjes Blerta Qinami (e cila ka rezultuar mjekja më e hajrit deri tani nga të gjithë këta të Covidit), lexoi interpretimin e skanerit tha se këto lloj lezionesh janë shenja të pakundërshtueshme të Covid-19 që ishin shfaqur në pjesën më të madhe të pacientëve të saj. Për këtë arsye, shkova të nesërmen te Hygea.
Mjeku Roland Kore më priti me pyetjen e parë: Ku e ke bërë skanerin? Dhe, pasi i thashë se ku, u rrudh në fytyrë. Për shumë kohë nuk foli, vetëm shikonte mushkëritë e mia në ekranin e kompjuterit. Më pyeti: Sa vjeç je? 42, i thashë.
Vazhdoi edhe një copë herë të shikonte monitorin. Unë duke dashur të shfrytëzoja në maksimum vizitën dhe të shpjegoja kontekstin tim shëndetësor, social dhe familjar, nisa t’i shpjegoj si nisi që me simptomat e para, kur nisi, sa zgjati dhe detaje të tilla, të cilat mendoja se do t’i hynin në punë një mjeku. Por mjeku Roland me një heshtje arrogante vijonte të ishte kinse i përqendruar te imazhet e skanerit. Ndërkohë më bëri çudi se si një pneumolog nuk pyet të paktën nëse jam apo jo duhanpirës. Nga ana tjetër, a nuk duhet të të dëgjojë pneumologu me stetoskop, të bëjë dmth edhe këtë lloj vizite? Nejse, mungesën e kësaj të fundit e justifikova me faktin që ai kishte përpara syve skanerin që ndoshta fliste më shumë se gjithçka. Por mospyetjen për duhanpirjen nuk ia fala!
Ndërkohë më mati edhe nivelin e oksigjenit në gjak (më del vazhdimisht 98).
Ok, tha. Dil aty dhe prit. Më tregoi me gisht stolin përballë derës së dhomës së tij, në korridor. Dola e ula ku më thanë. Ai nisi të shkruante me dy gishta (ndoshta diagnozën time). Minuta të tëra pritjeje! Dikur më pyeti prapë: Sa vjeç je? 42, i thashë prapë.
Printoi fletën e raportit mjekësor që kishte përpiluar. Ul sytë në fletë dhe e lexoj. Sipas tij kisha gjendje virale pa përjashtuar Covid-19. Çfarë do të thoshte kjo?
E pyes.
Më thotë: Duhet të bësh tamponin.
I them: Doktor, pse duhet të bëj tamponin (që e di gjithë dynjaja tashmë që nuk është shumë për t’u zënë besë), kur unë po të vij me skanerin në dorë.
Ma kthen: Vetëm po të bësh tamponin, mund të të konsideroj me Covid. Mushkëritë janë OK.
I them: Doktor, por skaneri dhe imazheristja kanë shkruar ndryshe këtu.
Ma kthen: Ia ka fut kot ajo imazheristja.
Si ia ka fut kot?! – i them.
Kot, pra, ia ka fut. Sa vjeç je? – më pyeti për herë të tretë.
42, i thashë për herë të tretë dhe po ndieja të nxehtën e damarit në anë të ballit, që po pulsonte gjithnjë e më shumë me ritmin e vet lab.
Ok doktor, i them, unë nuk kam ndërmend të bëj një tampon që nuk më tregon nëse jam apo jo akoma pozitiv, kur tashmë janë mbushur thuajse dy javë nga shfaqja e simptomave të para.
Gjithsesi, kisha shumë pyetje të tjera, sepse në fakt nuk më interesonte shumë emërtimi zyrtarisht apo jo i doktor Rolandit.
I them: Doktor, unë kam edhe shumë pyetje sepse ndoshta nuk më dëgjuat qëparë, por unë kam një jetë shumë aktive, dal që në 5 të mëngjesit për vrap, sepse po nuk u ushtrova përditë dhe rregullisht, shtoj në peshë. Po shtova në peshë ngrihet përsëri diabeti (sepse të gjitha të lidhura janë këto punë). (Ndërkohë ai vazhdonte ulur në zyrën e tij, unë duke i folur nga jashtë në korridor, ku kishte edhe pacientë të tjerë që prisnin, të cilët morën vesh të gjitha të dhënat e mia konfidenciale prej pacienti).
Për të gjitha këto, më tha, duhet të drejtohesh te mjeku i familjes. (Këtu ma hoqi trurin)
Doktor, i them, unë prandaj erdha te specialisti të më shohë. Dhe këtu te pneumologu, mjeku i familjes më dërgoi. Pastaj, këtu jemi në privat, çfarë ka lidhje mjeku i familjes?!
Nuk di ç’të them, më tha.
Ok doktor, po jua riformuloj pyetjen: Kur do të jenë në gjendje mushkëritë e mia t’i rikthehen plotësisht jetës dhe aktivitetit që kam pasur deri para dy javësh.
Dhe aty ia nisi të më jepte leksione teorike mbi funksionimin e mushkërive. Një leksion që gjithkush e ka mësuar që në klasë të gjashtë në lëndën e Biologjisë. E ndërpreva se nuk po duroja dot më!
Ndiqe me mjekun e familjes, më përsëriti.
Aty nuk durova më dhe e ngrita edhe më shumë zërin:
Kjo është vizita më kot që kam bërë ndonjëherë, i bërtita ballë për ballë.
Pse? – më tha.
Po unë vij te privati, paguaj edhe 120 mijë lekë për një konsultë të thjeshtë dhe ti më dërgon mbrapsht të mjeku i familjes???!!! Dhe, për më shumë, nuk më thua asgjë?!!
Ty hallall ta bëftë Zoti, o doktor Rolandi.
Ika me atë ndjenjën e pafuqisë për të bërë diçka dhe dëshirës së flaktë për të rrahur dikë. Gulç në fyt!
PS 1: Doktor Rolandi, ti mund të jesh emër i njohur i pneumologjisë shqiptare, por për mua je një zero me një super xhufkë, i cili nuk di as të sillet me pacientin. Turp për flokët e bardhë që ke në kokën tënde arrogante. Ndoshta të gjithë juve doktorëve kështu ju jemi bërë tani, si ato farat që pasi i mbllaçit në gojën tënde memece, u pështyn lëvozhgat përtokë. Ndoshta më kërkove ta bëja tamponin aty te spitali juaj, ngaqë mendove se “kur ky qenka në gjendje të paguajë 120 mijë lekë vizitë, ç’e ka një tampon 85 mijë lekë!”. Por ty hallall ta bëftë Zoti, përsa kohë punon në një spital që rrjep njerëzit me vizita 120 mijë lekëshe.
PS 2: O ti, Spitali Hygea, se po mendoja… Tani që doktor Rolandi na nxori me virozë, a mund të më kthesh mbrapsht diferencën e parave të vizitës? Sepse unë nuk qenkam pacient i dyshuar Covid, sipas doktor Rolandit.
PS 3: Megjithëse më pyeti tri herë “Sa vjeç je?”, përsëri 43 vjeç e ka shkruajtur në raportin e tij mjekësor. Edhe në matematikë, shumë keq qenke doktor Rolandi.