Et’hem Ruka, biologu i njohur dhe ish ministër i Arsimit publikoi sot librin e tij të radhës,”Përtej njeriut: A mund të shkruajmë librin e jetës?”, një botim me mjaft vlera për lexuesit. Ruka thotë se janë dashur miliarda vite për të prodhuar njerëzimin.
Postimi i Rukës në fb:
U deshën 4.7 miliardë vite histori për të prodhuar një miliardë njerëz, 120 vite për ta dyfishuar atë në dy miliard, pastaj edhe 100 vite të tjera për çuar deri në shtatë milardë. Po mbas 100 vitesh të tjera çfarë do të ndodhë? E ardhmja mbetet e panjohur, ajo vetëm mund të parashikohet. E panjohura është burimi i dyshimit dhe frikës, por edhe shtysë për të ecur para.
Cili do të jetë fati ynë biologjikë në vijim? Do të kemi fatin e dinozaurve të zhdukur apo rrugëtimi ynë do të vazhdojë? Do vazhdojmë të jemi gjithmonë Homo sapiens, apo do të shfaqet një qenie tjetër që nesër do t´na studiojë ashtu siç ne studiojmë paradhësit tanë humaniodë?
Ideja e përmirësimt të vetvetes e vjen që nga lashtësia. Paraardhësit tanë thurën mite dhe i dhanë jetë imagjinatës për të krijuar heronj imagjinarë si shëmbëlltyra të njeriut të së ardhmes, heronj që vrasin kuçedrat, që ecin më shpejtë se era, që vdesin e rilindin, që pinë disa pikë qumështi magjik dhe shndërrohen në dragoj, që udhëtojnë deri në botën e përtejme për të parë vuajtjet e mëkatarëve në rrathët e ferrit e që kthehen sërish në botën reale për të dëshmuar se çfarë ndodh atje, që takojnë alienë dhe mbarsen me ta, e plotë e plotë krijime imagjinare të kësaj natyre.
Kush nuk do të donte që një njëri me gjatësi normale të vrapojë më shpejtë se kafsha më e shpejtë, të kërcejë më lartë, të rezistojë më shumë, të gjenerojë një forcë muskulore më të madhe, të qëndrojë më gjatë në ujë ashtu si delfinët e fokat e detit, të flejë me gjysmën e trurit e të qendrojë zgjuar me gjysmën tjetër të tij, të ec në errësirë duke përdorur ultartinguj si lakuriqët e natës, të perceptojë feromonet si insektet, të ndjej fushën elektromagnetike, të dallojë më shumë nuanca ngjyrash, të parandjejë tërmetet, të pajiset me ndjesinë termike si ajo e gjarpërit, të rrit aftësinë e orientimit hapësinor etj.
Kush nuk do të donte të kishte një kujtesë më të fortë, aftësi të spikatur për rikujtimin e fakteve, emrave, statistika, vargjeve të poemave, numrave të telefonit etj në castin që do të duhej, të vuloste në arkiv kujtimet e hidhura dhe të mbante mend vetëm gjerat më të mira që e bëjnë jetën më të bukur. Kush nuk do të donte një intelegjencë më të madhe e të pakonkurueshme me intelegjencën artificiale, të kishte një botë shiprtërore më të pasur e të mbushur me emocione pozitive duke ju larguar agresivitetit, urrejtjes, xhelozosë, depresionit e impulesve negative.
Kush nuk do të donte një jetë më të gjatë, pa dhimbje, një pleqëri pa sëmundje, një lëkurë që ruan vazhdimisht freskinë, ngyrën, dhe elasticitetin e rinisë, një jetëgjatësi shumë më të madhe se kjo e sotmja. Kush nuk do të donte që një ditë të zgjidhej përfundimisht uria e spitaleve për gjak natyral duke e zëvendësuar atë me gjak sintetik, kush nuk do të donte që një ditë të gëlltiste një tabletë për të pastruar gjakun apo për të rritur kapacitetin e tij për oksigjenin, kush nuk do të donte të kishte rruaza gjaku të modifikuara gjenetikisht për të forcuar rezistencën ndaj plakjes dhe patogjenëve.
Në këtë botë kur shkenca dhe teknologjia ecën më shpejtë nga sa e mendojmë, është e domosdoshme të analizojmë me kujdes produktet e saj duke parashikuar si të mirat, ashtu dhe rreziqet që e shoqërojnë atë. Njeriu shpiku “vegla” dhe “veglat” përmirësuan njeriun. Ky proçes vazhdon edhe në ditët tona. Nanoteknologjia, bioteknologjia, teknologjia e informacionit dhe shkenca konjitive që merret me studimin e trurit dhe intelegjencen artificiale, po tronditin botën. A do arrijnë ato të riformatojnë të gjitha aspektete e jetës njerëzore dhe vet njerëzimit?
Duket sikur po vrapojmë drejt një bote tjetër ende të paqartë, drejt një njeriu tjetër të pangjashëm e të pakrahasueshëm me njeriun e sotëm. Për një pjesë të njerëzve, skenarët duken joshës e të bazuar shkencërisht, për të tjerë të parealizueshëm, delirantë, monstruozë, të frikshëme dhe misteriozë. Kështu ka ndodhur gjithmonë. Njeriu në rrugëtimin e vet të gjatë e të vështirë ka përjetuar dyzimin mes frikës dhe joshjes për të guxuar. Idetë e mëdha gjithmonë tronditin, ndaj në në fillim refuzuohen, pastaj diskutohen e në fund pranohen.
Ky liber vjen për ju në një në një kohë të vështirë pandemie, por aventura e jetës humane si dje, sot dhe nesër ka qenë dhe do të mbetet sfiduese ndaj të gjitha të papriturave. Rrugëtimi ynë qëndron i lidhur pazgjidhshmërisht me mitin e progresit. Shkenca dhe teknologjia janë aleatët tanë që me siguri do t’i bëjnë jetët njerzore nga të mira në shumë më të mira. Mos i uroni më të sapolindurit edhe 100 se ata me siguri do të jetojne shumë me gjatë se një shekull! Lexim të mbarë!