Situata e Etrit Berishës i cili përfundoi në spital pasi ishte infektuar me COVID-19, ka alarmuar jo pak tifozët shqiptarë, por edhe klubin e SPAL ku portieri është pjesë e rëndësishme. Gardiani kuqezi shkoi për vizita në spital pasi kishte shfaqur simptoma të infeksionit.
Më pas, lojtari vetë bëri të ditur se çdo gjë kishte qenë normale dhe se nuk kishte shfaqur situatë të rënduar të këtij virusi. Një lajm që ka qetësuar edhe në klubin e tij, ku gjithsesi është kërkuar opinioni i mjekëve. Vetë trajenri i skuadrës, Paskuale Marino, ka bërë të ditur se tani të gjithë ishin pak më të qetë rreth gjendje së shqiptarit.
“Më vjen shumë keq për Berishën por na ka qetësuar stafi mjekësor rreth faktit se këto ishin teste rutinë që duheshin bërë”, tha trajneri në konferecnën e sotme për shtyp. Gjithsesi, klubi parashikon që Berisha të mungojë për një periudhë të gjatë dhe për këtë arsye, ka nënshkruar me portierin Stefano Mineli, për të pasur alternative në portë derisa të kthehet gardiani kuqezi.