GJERMANI – “Turqia u largua nga “Euro 2024”, pasi e ka ngarkuar turneun me shpirtin dhe energjinë e tij dhe ka fituar zemrat e futbolldashësve në të gjithë botën”,– tha të shtunën trajneri Vincenzo Montella.
Turqia humbi 2-1 ndaj Holandës në çerekfinalen në Berlin, teksa portokallinjtë arritën të rezervojnë një vend gjysmëfinale, për t’u përballur me Anglinë në Dortmund, pas një përplasjeje të mprehtë para tifozerisë pasionante turke.
“Që nga fillimi i kampionatit shpirti ynë i ekipit dhe mbështetja e tifozëve tanë ishin të pashoqe. Jemi shumë krenarë. Mënyra se si skuadra jonë luajti, interpretoi dhe u përshtat me lojën ishte e mrekullueshme. Ne kishim një ëndërr dhe ishim shumë afër saj”,– u tha Montella gazetarëve.
“Ne duhet të mbrojmë mënyrën se si luajmë dhe karakterin tonë si skuadër dhe ta çojmë atë në kampionatet e ardhshme”, shtoi italiani. Ecuria e paharrueshme e Turqisë në Euro 2024 përfshinte tre fitore dhe tetë gola.
“Ne duhet të jemi krenarë për ekipin tonë. Ata luajtën me shpirt të madh, me shpirt turk, ndaj ne e ndiejmë dashurinë e popullit turk dhe jam krenar për ta. Ne e meritojmë atë”, tha Montella. “Pas këtij Europiani, Turqia do të shihet me sy të ndryshëm në të ardhmen, ndoshta me më shumë respekt”, shtoi ai.
“Lojtarët kanë fituar shumë përvojë. Për mënyrën se si luajtëm dhe çfarë treguam. Në Turqi ka një simpati të madhe për këtë skuadër dhe për futbolldashës të tjerë në vende të tjera. Ky është vetëm baza, ne duhet të vazhdojmë të rritemi. E ardhmja është në anën tonë”,– përfundoi ai.