Në kulmin e sezonit turistik dhe në fillim të muajit gusht, euro ka zbritur në nivelin më të ulët të regjistruar në vitet e fundit në tregun valutor shqiptar.
Flukset e larta të valutës që hyjnë në vend nga turistët, emigrantët dhe aktiviteti sezonal kanë rritur ofertën e euros në treg, duke ushtruar presion mbi kursin e këmbimit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, euro këmbehet me 93.28 lekë, niveli më i ulët i regjistruar deri më tani. Monedha europiane blihet me 92.97 lekë dhe shitet me 93.61 lekë, ndërsa në disa pika të këmbimit valutor po blihet edhe me 92.4 lekë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur euro këmbehej me 97.32 lekë, monedha europiane ka humbur 4.04 lekë në vlerë.
Zhvlerësimi i euros krijon efekte të ndryshme në ekonomi. Përfitues janë qytetarët dhe bizneset që kanë pagesa në euro, si kreditë, importet apo udhëtimet jashtë vendit, pasi u nevojiten më pak lekë për të blerë të njëjtën shumë euro.
Në anën tjetër, eksportuesit, subjektet e turizmit që arkëtojnë në euro dhe familjet që marrin remitanca nga emigrantët përfitojnë më pak lekë për të njëjtën shumë në valutë.
Ndërkohë, rezerva valutore e vendit ka arritur në një nivel rekord prej 7.669 miliardë euro, ose rreth 889 milionë euro më shumë krahasuar me një vit më parë.
Për të frenuar zhvlerësimin e mëtejshëm të euros, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndërhyrjet në tregun valutor. Vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, banka qendrore ka blerë 95.5 milionë euro, gati trefish më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u blenë 33.2 milionë euro.
Për vitin 2026, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të blejë nga tregu ndërmjet 330 dhe 450 milionë euro, një objektiv më i lartë se ai i vitit të kaluar.
