Udhëheqësit evropianë që përbëjnë “koalicionin e të vullnetshëmve” do të zhvillojnë një video konferencë të dielën, përpara takimit të Volodymyr Zelenskyt dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Por para kësaj bisede janë dhënë edhe sinjalet e para ndaj Kremlinit. Udhëheqësi ukrainas dhe liderët e BE-së “i përgjigjen” Putinit:
“Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë”, informon “Corriere“.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e bëri deklaratën në një konferencë shtypi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ditën e sotme (17 gusht) në Bruksel.
Shefja e Komisionit Evropian, u shpreh se garancia dhe siguria e Ukrainës është parësore, duke i bërë thirrje Kievit që të kthehet në një ‘koracë çeliku’ ndaj Rusisë.
“Garancitë e sigurisë duhet të jenë në vend për interesat e Ukrainës dhe të Evropës”, tha ajo.
Koalicioni, i bashkëkryesuar nga Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, ka për qëllim bashkimin e vendeve për të mbrojtur një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Udhëheqësit kryesorë të unionit do të udhëtojnë gjithashtu drejt Uashingtonit, për të qenë krah liderit ukrainas gjatë takimit me Trump.
Ky i fundit ka reaguar pak më parë nëpërmjet rrjetit të tij social ‘Truth’ me një fjali në gërma kapitale, ku shprehet:
“Progres i madh me Rusinë!“, por pa dhënë detaje të tjera se për çfarë bëhet fjalë.
Do të marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti finlandez Alexander Stubb, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Kjo e fundit, para se të nisen drejt SHBA-së, do të mbajë një takim me liderin e Ukrainës.
Nga ana tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë, sipas CNN, synon që të organizojë shumë shpejt edhe një takim tre palësh me Putinin dhe Zelenskyn nëse gjithçka do të shkojë mirë në takimin e nesërm.
Në krye të axhendës në konferencën e së dielës do të jetë sigurimi i një angazhimi konkret nga Trump për një garanci sigurie që do të vepronte si një pengesë e fuqishme në çdo marrëveshje paqeruajtëse Rusi-Ukrainë. Ata do të diskutojnë gjithashtu se si ta bëjnë Zelenskyn pjesë të bisedimeve, pasi Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin e lanë jashtë loje me samitin që mbajtën të premten në Alaska.
Në një deklaratë të përbashkët dje pas samitit Trump-Putin të premten në Alaska, ku nuk u arrit asnjë marrëveshje,, udhëheqësit evropianë thanë se Zelensky duhet të luajë një rol më të madh në bisedimet e ardhshme dhe se paqja nuk mund të arrihet pa të. Pjesa e vështirë do të jetë bindja e administratës amerikane që të ndryshojë qasjen e saj, diçka që ka rezultuar pothuajse e pamundur deri më tani.
Kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar dhe e bëri të qartë se SHBA-të nuk do të jepnin më një çek të bardhë për të mbrojtur paqen në Evropë, të tjerët vendosën se duhej të ndërmerrnin hapa dhe “koalicioni i të vullnetshmëve” u krijua në mars.
