Ndjekësit e festivalit të Eurovision kanë ndërmarrë një akt në mbështetje të këngëtares shqiptare Ronela Hajati, pasi organizatorët censuruan një foto të saj gjatë provave të para për spektaklin e madh. Konkretisht, në foto shihej Ronela me balerinët e saj teksa duart gjatë performancës i ulnin edhe drejt pjesës së poshtme të trupit.
Kështu, galeria e fotove të Ronelës u hoq nga faqja zyrtare e Eurovisionit në rrjetin social “Instagram”, ndërsa më pas ajo u ripostua sërish por pa foton në fjalë. Për këtë arsye, ndjekësit e revoltuar kanë nisur një peticion (linku i peticionit) ku kërkojnë që këngëtarja të vijojë me koreografinë aktuale.
Ata theksojnë krahas peticionit se përfaqësuesja e Shqipërisë ka punuar për muaj me radhë në përgatitjen e një koreografie të tillë, dhe nuk mund të hidhet poshtë në momentin e fundit.
“Eurovizioni është një konkurs ku çdo artist është i lirë të performojë dhe të tregojë idetë e tij të performancës. Performanca e Ronelës nuk është në këtë rast sepse Eurovision e konsideron atë “provokuese”, ndërsa kur disa vende janë apo kanë qenë edhe më provokuese, nuk e kanë censuruar performancën. Nuk mund t’i lëmë tani të hedhin në kosh 3 muaj punë të palodhur nga Ronela dhe stafi i saj, ndaj ju lutemi nënshkruani këtë peticion!!!”, thuhet krahas peticionit.
