Aktivistja e njohur, shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka shpërthyer në sulme të forta në adresë të ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani; kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshortes së këtij të fundit, deputetes Monika Kryemadhi, të cilët i akuzon se janë përshirë në aferën e inceneratorëve. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ajo u ndal fillimisht tek një deklaratë e bërë nga zoti Manjani, i cili në syrin e juristit dhe avokatit është shprehur, se sipas tij, ish-ministri Lefter Koka po mbahet padrejtësisht në burg. Sipas saj, ky qëndrimi i Manjanit është absurde. Madje zonja Kokalari ka shkuar deri atje sa ka filluar të hapë letrat, teksa ka nxjerrë informacione të bujshme nga ambasada amerikane, duke zbuluar se Manjani ka qenë në listë për t’u sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. “Sugjerimi i Ylli Manjanit që Duma të intervistojë pronarët e Topit, ngre disa pikëpyetje për mua. Në radhë të parë Manjani ka qenë Ministër i Ilir Metës dhe si i tillë besoj e di që ish-pronarët e Topit, që janë shumë afër me Metën, kanë qenë gjithashtu të mpleksur (insinuata sigurisht siç i quan Manjani) me inceneratorët. Ndoshta Duma nuk i dinte këto fakte për t’ja kthyer përgjigjen Manjanit siç duhet, por kjo kërkesë nga Manjani m’u duk shumë guximshme sepse e kam të vështirë ta besoj që ai është aq naiv sa mos t’i dijë këto detaje, por di vetëm detajet e anës tjetër. Nejse, ai gjithashtu tha që Lefter Koka është në burg kot, ndërkohë që mua më është thënë nga ambasada që ky ka qenë në listë për t’u sanksionuar nga DASH, me pak fjalë i lyer kokë dhe këmbë”, shkroi ajo.
Afera e “djegësave”
Më tej aktivistja e njohur, shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka bërë thirrje që afera e inceratorëve të hetohet me themel dhe se sipas saj, përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë. “Afera korruptive e inceneratorëve duhet të zbërthehet totalisht përpara publikut dhe të gjithë pa asnjë dallim duhet të shkojnë përpara drejtësisë. Deri tashti kemi parë teatrin që bëjnë të dy palët kundrejt njëra -tjetrës dhe personalisht më shqetëson naiviteti i shumë Shqiptareve, dhe mbi të gjitha i demokratëve. Nëse do luftoni korrupsion të njëanshëm kuptoni që vetvetiu bëheni pis me anën tjetër, me të cilën sot jeni dhe në koalicion”, u shpreh ajo.
Pikëpyetjet
Po ashtu, aktivistja e njohur, shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka ngritur edhe disa pyetje për autoren e emisionit “Top Story” në “Top Channel”, Grida Duma, nga e cila kërkon përgjigje, nisur edhe nga fakti se në studion e saj këtë javë një nga të ftuarit ishte ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. “Ndërkohë kam disa pyetje për ju të gjithë – tritolin në resortet e Durrësit e ftilluat pse e vunë apo hiç? Po reprezaljen ndaj Top Channel që la një të pafajshëm të vrarë e keni menduar pak thellë apo e keni harruar fare? Po dokumentarin e Top Channelit për Ilir Metën dhe Monikën e keni parë dhe a keni pyetur veten pse ky dokumentar doli pikërisht tashti që Meta nuk është më as President apo keni humbur çdo sensitivitet ndaj këtyre ngjarjeve? E sa për kujtesë, plumbat ndaj Top Channel ishin plumba mbi një biznes që drejtohet nga katër gra. Ai lloj krimi për ti intimiduar ato kalon dhe normat e mafies italiane në Amerikë që ishte legjendare me John Gottin & Paul Castellanon në krye. Ata ligj kishin ‘kurrë me gratë dhe fëmijët’.Tek ne, asnjë mëshirë! Personalisht, e gjitha më duket si film i Martin Scorseses që luhet në kohë reale. Lufta bëhet për të marrë haqe dhe për mbijetesën e tyre dhe nuk bëhet për ju dhe mua. Ndërkohë mos bëni tifozllëk dhe mos fuqizoni njërën anë. Thjeshtë po na bëni dëm të gjithëve!! Nejse, Duma të bëj intervistë me pronaret e Topit për sa kohë që shokët e Ilir Metës dhe ish-pronarët do pranojnë të njëjtën gjë. Ai do të jetë dhe emisioni i parë i Dumës që do shoh”, nënvizoi aktivistja e njohur, shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari.