Fatmir Xhafaj fton në debat kryedemokratin Lulzim Basha, si dy ish ministra të Brendshëm. Xhafaj u shpreh se Basha s’ka bërë një gjë të vetme që të mbahet mend pozitivisht nga shqiptarët.
“Unë besoj që kam punuar mirë edhe kur kam qenë Ministër i Brendshëm. Dhe jam i gatshëm të bëj çdo lloj debati dhe çdo lloj sfide edhe me atë që sot pretendon të jetë kryeministër i ardhshëm dhe që dikur ka qenë ministër i Brendshëm. Çfarë ka bërë ai dhe çfarë kam bërë unë. Kemi afërisht të njëjtën kohë në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Dhe le të më thotë një gjë që e ka bërë kur ka qenë në krye të ministrisë. Çfarë do më thotë? Atë të vizave? Proçesi i vizave është proçes i të gjithë qeverisë. Ministria e Brendshme ka një rol. Është njësoj sikur të them unë që Shqipërinë do ta fusë ministri i Brendshëm, ose e futa unë në NATO, apo BE. Ai është një proçes, është ministria e Jashtme, ministria e Integrimit, janë të përfshira të gjitha strukturat e shtetit. Sot te proçesi i integrimit asnjë ministër nuk mund të thotë që unë e futa Shqipërinë në BE. Jo është gjithë infrastruktura e shtetit që punon në funksion të kësaj gjëje. Por Basha ka qenë ministër i Brendshëm dhe le të më thotë për çfarë mbahet mend. Edhe problemi që ka sot opozita për fat të keq që është kriza e lidershipit. E para sepse është një lidership i dyzuar, sepse ka një drejtim faktik dhe legal aq sa tutor. Por unë nuk di çfarë t’i them që ka një gjë që do të mbahet mend pozitivisht Lulzim Basha. Të thotë çfarë ka bërë që nga periudha që ka shkelur për herë të parë në 2005-ën, që u rikthye në këtë vend dhe deri më sot. Mund të bëjë libra sa të dojë, por nuk thotë dot që ky ligj është i lidhur me mua. Të thotë një reformë që ka propozuar, që është e tija. Pra ka qenë ministër i Jashtëm, i Brendshëm, ministër Transportit, ky njeri të thotë që ka bërë një reformë për shërbimin e jashtë. Jo. Mbahet mend vetëm për marrëveshjen e Detit me Greqinë që ia rrëzoi Gjykata Kushtetuese, dështim i madh, i jashtëzakonshëm. Do të mbahet mend për 21 janarin, për 4 qytetarët e vrarë, por jo vetëm kaq. Por edhe për faktin që policia nuk iu përgjigj, iu kundërvu, duke qenë ai ministër i Brendshëm. Dhe pastaj si ministër Transporti do të mbahet mend për gjyqin e famshëm që me raporte mjekësore i shpëtoi drejtësisë”, tha Xhafaj për DritareTV.