Në 24 tetor 2022, do të nisë procesi gjyqësor për gjyqtaren e Apelit në Tiranë, Fatmira Hajdari, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut. Trupa gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e shkarkimit të Fatmira Hajdarit kryesohet nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën, si dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo. Fatmira Hajdari i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rikthimin në drejtësi si gjyqtare, duke rrëzuar vendimin e shkarkimit të saj nga detyra, marrë nga Komisioni i Vetingut në 18 qershor të vitit 2020.
Më 21 shtator të vitit 2020, gjyqtarja Fatmira Hajdari ankimoi në Kolegjin e Apelimit vendimin e shkarkimit. KPA-së i janë dashur më shumë se sa dy vite për të marrë në shqyrtim dosjen. KPA do të vendos në formë të prerë për shkarkimin ose rikthimin në detyrë të Fatmira Hajdarit. Gjatë kësaj kohë, zonja Hajdari, ish-bashkëshortja e Azem Hajdarit, ka marrë 75 % të pagës.
Fatmira Hajdari u shkarkua me arsyetimin se nuk justifikonte me burime të ligjshme një pasuri me vlerë rreth 950 mijë USD. Në konkluzionet për pasurinë, thuhet se gjyqtarja e Apelit nuk e ka deklaruar plotësisht pasurinë, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm, nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e pasurive si dhe ka bërë përpjekje për të fshehur një pjesë të pasurisë.