Ish-themeluesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Fatos Klosi ka folur për përfshirjen e tij në politikë.
“LSI kishte shumë pak kohë që ishte krijuar dhe erdhën zgjedhjet e vitit 2005. Unë isha në Mallakastër, e Partia Socialiste ishte shumë e fuqishme aty, edhe Partia Demokratike gjithashtu. LSI mori pak vota, se ishte e re”, tha Klosi teksa ishte i ftuar në studion e emisionit “Breaking”.
Sa ka ndryshuar LSI?
Në 2009 u largova, u kalua çdo kufi kur bëri koalicion me PD-në. Kishim dalë në parti në vete, u larguam nga Partia Socialiste, duke menduar se po ikte drejt qendrës. Dolëm si një parti që do ishim e majta e vërtetë.
Koalicioni me PD ishte absurd, ishte për interesa të partisë. Deklarova se dështova me sukses në politikë, dhe se politika nuk është për mua. LSI ka jetuar me pushtetin, e ka të vështirë të jetojë larg saj.
Ishte 4 vjet larg pushtetit, dhe do jetë sërish 4 vite të tjera. Nuk do jetë kohë e favorshme për LSI, i prish punë qëndrimi larg pushtetit
E ndihmon LSI-në rikthimi i Metës?
Meta ka qenë drejtuesi autoritar. E shoqja erdhi pasi u largua Meta. Duket si mbretëri e vogël, kur ikën mbreti një tjetër i familjes merr punën e tij.
Kam qenë një nga krijuesit e kësaj partie dhe LSI ka funksionuar dhe e ka rritur numrin e deputetëve sa herë i është afruar pushtetit, me vende pune e ndonjëherë me para. Do kthehet Meta apo jo, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Meta në këtë vitin e fundit humbi shumë nga pikët që kishte, më duket i çik i trembur.
I humbi pikë opozitës në këto zgjedhje?
Jo. Opozita nuk ishte një opozitë e vërtetë. Baza e PD dhe LSI janë shumë larg njëra-tjetrës. PD është ankuar gjithmonë se LSI i ka marrë shumë vende pune, kanë pasur konflikte interesash. Humbi LSI vetë, jo PD nga LSI.
Sipas Klosit, si Partia Socialiste ashtu edhe Partia Demokratike, nuk duan që Lëvizja Socialiste për Integrim të ekzistojë.
