Gjithmonë ndodh që në anketa të pyeten njerëzit lidhur me performancën e qeverisë apo politikës në tërësi. Por Instituti i Studimeve Politike ka zhvilluar një anketim me vetë deputetët e Kuvendit.
Ata janë pyetur lidhur me kualifikimin e tyre, nivelin e angazhimit politik, vlerësimin për politikën dhe aktivitetin parlamentar, njohjen e rregullores dhe ligjit dhe sugjerimet për përmirësim në të ardhmen.
Qëllimi i anketimit është të masë perceptimin mbi problematikat e mësipërme nga këndvështrimi i vetë deputetëve, si dhe duke i ballafaquar gjetjet me sondazhe në të ardhmen me qytetarët, të bëjë analizën nga dy këndvështrimet. Gjetjet e anketimit kanë vlerë këshilluese edhe për vetë axhendën e Kuvendit në fazën e ndërhyrjeve të nevojshme në Rregullore ose në Statusin e Deputetit, si dhe kanë vlerë për partitë politike si burimi kryesor i karrierës, ashtu edhe për median, qytetarët dhe grupet profesionale.
Një nga pyetjet kishte të bënte me preferencën për shkollimin e fëmijëve, jashtë apo brenda vendit dhe ajo që habit është se pjesa më e madhe e tyre e ka lënë pa përgjigje.
Pyetja për angazhimin social e politik të bashkëshortëve është e lidhur me pyetjen për angazhimin social të fëmijëve të deputetëve (për ata që kanë fëmijë). Deputetët u pyetën nëse fëmijët e tyre mbi 14 vjeç janë me studime brenda ose jashtë vendit dhe se në dy rastet, dy të tretat e deputetëve refuzuan të japin informacion. Ndër ata që dhanë informacion rezulton se 26,5% e deputetëve i kanë dërguar fëmijët e tyre në shkollat e mesme ose të larta brenda vendit dhe 17,6% i kanë dërguar fëmijët në shkolla jashtë vendit.
Lidhur me natyrën e shkollës, publike apo private, rezultoi se shumica e deputetëve që janë përgjigjur i kanë fëmijët e tyre në shkolla private (17,6%) ndaj atyre në shkollat publike (5,9%). Ndër përgjigjet e tjera deputetët dhanë variante të ndryshme alternative, si për shembull, një vit në shtet dhe dy vjet në privat, ose për ca kohë jashtë vendit, por më pas në shkollat brenda vendit, etj. Në tërësi, pa rëndësinë e detajeve, tabloja e të dhënave nga deputetët tregon se preferencë mbetet dërgimi i fëmijëve në shkolla të mesme ose të larta private dhe se përqindja e atyre që i kanë dërguar fëmijët në shkolla jashtë vendit është relativisht shumë më e lartë sesa përqindja e popullsisë votuese