“Fenomeni” Ronaldo ka festuar dje 40-vjetorin.
Ai konsiderohet si një nga sulmuesit më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Por, historia e mëposhtme e transferimit të tij tek Barcelona, është vërtetet brilante.
Ishte vera e vitit 1996 dhe Barcelona po ka lonte një moment të vështirë sa i përket mbështetjes së tifozëve. Johan Krujf sapo ishte larguar dhe zëvendësi i tij, Bobo Robson, nuk po arrinte të fitonte popullaritetin e duhur. Në krye të klubit ishte Josep Luiz Nunjez, për të cilin po kërkohej dorëheqja.
Në një situatë të tillë, klubi vendosi që të investojë për futbollistin më premtues të kohës, Luiz Nazario da Lima Ronaldon. Ishte vetëm 19 vjeç, por te PSV-ja kishte shënuar 54 gola në 57 ndeshje të luajtura. Një fenomen që kishte detyruar klubet europiane të viheshin në radhë për të marrë shërbimet e tij.
Por, ish-zëvendëspresidenti i katalanasve, Joan Gaspart, zbulon për herë të parë të gjitha peripecitë që kishin hequr, për të zyrtarizuar marrëveshjen e transferimit të tij.
“Para se të hapej merkato e verës, ne shpejtuam për të bindur drejtuesit e PSV-së që të shisnin lojtarin. Duhet të fitonin garën me klubet e tjera, pasi kishte shumë të interesuar për të. Marrëveshja ishte prej 20 milionë dollarësh, më e larta e paguar ndonjëherë deri në atë periudhë. Gjithashtu kishte edhe një klauzolë, që duhet të bindnim futbollistin deri para datës 15 korrik, ose në të kundërt akordi që kishin arritur dy klubet do të ishte i pavlefshëm”, tregon ai.
Me hapjen e merkatos së verës, shumë klube paraqitën ofertat e tyre zyrtare për kartonin e Ronaldos dhe disa ishin mjaft më të larta se sasia e parave që kishte ofruar Barcelona. Në këtë situatë, drejtuesit e PSV-së bën të pamundurën që të bënin të pavlefshme marrëveshjen me spanjollët dhe e vetmja zgjidhje ishte që sulmuesi të mos pranonte kontratën që do t’i ofronin.
“Mora vesh që PSV-ja po mundohej të bindte Ronaldon që të refuzonte ofertën tonë, pasi kishte disa klube të tjerë që paguanin më tepër për kartonin e tij. Në atë periudhë lojtari ndodhej në Brazil, pasi ishte i grumbulluar me Kombëtaren për Kupën e Konfederatave. Tentova me të gjitha mënyrat që të komunikoja me të ose me menaxherin e vet, por ishte e pamundur. Në një situatë të tillë vendosa që të nisem personalisht për ta takuar”, kujton Gaspart.
Gjithsesi, vizita në hotelin ku qëndronte përfaqësuesja e “seleçaos” nuk ishte aq miqësore sa mund ta kishte pritur.
“PSV-ja kishte njoftuar koordinatorin e Kombëtares së Brazilit që të mos lejonte sulmuesin të takonte njeri tjetër, përveç stafit të tyre. Kur u paraqita në hotel, më dolën para dy ‘gorilla’ dhe nuk më lejuan të futesha. Pavarësisht se iu prezantova dhe i shpjegova arsyen pse isha aty, e kuptova që nuk kishin për të më lejuar.
Tentova për dy ditë me radhë, por asnjë sukses. Më pas, bëra atë që e kam kujtuar shpeshherë duke qeshur me Ronaldon, apo me miq të tjerë”, shton ai. “Fatmirësisht, në hotel u njoha me një kamerier spanjoll. I kërkova atij që të më jepte hua veshjen, tabakanë dhe një Coca-Cola. Në këtë mënyrë, arrita të shkoj deri në dhomën e sulmuesit. Askush nuk më njohu.
U futa brenda dhe iu prezantova, por Luiz nisi të qeshte, pasi mendoi se isha shaka. Hoqa veshjen e kamerierit dhe i tregova një kartë anëtarësie të klubit. E kuptoi që ishte diçka serioze, pasi edhe unë i shpjegova situatën në hotel. Thirri në dhomë menaxherin e tij dhe koordinatorin e Kombëtares.
Në prani të tyre, arritëm marrëveshjen që ai të bëhej futbollist i Barcelonës. Telefonoi në klub dhe u bëri të ditur që kishte rënë dakord me kontratën që i kishim dhënë ne. Atyre sikur u ra bomba, por ne fituam një futbollist të jashtëzakonshëm. Mendoj se do të isha bërë edhe një kamerier i suksesshëm”, përfundon duke qeshur rrëfimin e tij për “goal.com” Joan Gaspart.
Një tratativë e mundshme, por që bëri të mundur transferimin e “fenomenit” në Barcelonë, ku në të vetmin vit që qëndroi, shënoi 47 gola në 49 ndeshje. Sezonin pasardhës u transferua tek Interi për 48 miliard lireta në atë kohë (24 milionë euro).
[huge_it_gallery id=”3 “]