Aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar nga ora 12:30 me orën greke, deri në një afat të pacaktuar, për shkak të protestës së fermerëve grekë.
Policia Kufitare Kakavijë, bëri të ditur se “nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 12:30 (me orën greke) deri në një njoftim të dytë, aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët”.
Sipas policisë do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.
