Kristiano Ronaldo ishte heroi i mbrëmjes së Juventusit, në Ligën e Kampionëve, me 3 golëshin e tij ndaj Atletikos, duke i dhuruar përmbysjen madhështore bardhezinjve ndërsa siguruan kalimin në raundin e çerekfinaleve në Ligën e Kampionëve.
Pas ndeshjes ylli portugez duket se ekzagjeroi paksa me gjestet në festimin pas ndeshjes, teksa ia ktheu me të njëjtën monedhë, trajnerit të Atletikos, Diego Simeone. Argjentinasi në ndeshjen e parë në Madrid, festoi në një mënyrë ofenduese ndaj tifozerisë italiane, duke nxitur edhe irritimin e lojtarëve të Juventus.
Mirëpo, diçka e tillë nuk ka kaluar pa u vënë re nga ana e UEFA-s, e cila nëpërmjet pamjeve televizive pritet të hapë një hetim ndaj Ronaldos. Megjithatë, duke parë precedentin me trajnerin Simeone, i cili për të njëjtin veprim u ndëshkua me gjobë, duket se edhe 34-vjeçarin e pret e njëjta masë ndëshkimore, duke përjashtuar ndëshkimin me pezullim për ndeshjet e ardhshme të Champions League.