Minatorë, teknikë, gjeologë, inxhinierë, ish zyrtarë të sektorit të industrisë u mblodhën sot në Pallatin e Kulturës Burrel për të festuar 60 vjetorin e themelimit të sektorit minerar në krahinën e Martaneshit.
Oratorët që morën fjalën sollën në vëmendje të të pranishmëve vitet e para të zbulimit të mineralit të kromit, vështirësitë e mëdha të atyre viteve, përkushtimin e madh të punëtorëve dhe specialistëve, etj.
Nga viti 1969 deri në vitin 1999, kur minierat u privatizuan, kromi siguronte
të ardhura të mëdha për ekonominë shqiptarë. Me parullën “Kromi çan bllokadën”
u prodhuan miliona tonelata krom që përpunohej në uzinat e ferrokromit Elbasan
e Burrel si dhe eksportohej jashtë vendit.
Kujtimet e ish inxhinierëve, minatorëve dhe specialistëve të mesëm ishin të
shumta. Ata sollën detaje të rëndësishme nga puna e tyra në ekspeditat
gjeologjike si dhe frontet e punës në galeritë e kromit, duke përmendur vdekjen
e 11 minatorëve nga orteku i dëborës pikëisht në afërsi të Batrrës.
Aktualisht në zonën mineralmbajtëse të Martaneshit operojnë 70 subjekte
private. Sakaq herë pas here regjistrohen aksidente të rënda, për fat të keq
edhe me viktima, por strukturat ligjzbatuese nuk kanë ndëshkuar asnjë pronar të
subjekteve minerare. /tirananews.al/