Ksamili është një ndër destinacionet më të përfolura të kësaj vere, veçanërisht nga mediat e huaja duke e cilësuar edhe si “Maldivet e Europës”.
Blendi Fevziu ka deklaruar mbrëmjen e sotme në “Opinion” se sipas një të dhëne që ka parë, rezulton se është zona më e mediatizuar për vitin 2022. Ai shton më tej se nuk ka plazh të tillë në të gjithë vendin, gjë për të cilën bien dakord gjithë të ftuarit.
Blendi Fevziu: Në një të dhënë që unë pashë, ishte zona më e mediatizuar në rrjetet sociale në Europë për vitin 2022, 18 milionë më shumë kishin vëmendje videot e Ksamilit.
Ori Nebiaj: Po është shumë i veçantë, shih ç’det ka!
Blendi Fevziu: Ksamili është një perlë! Të gjitha këto plazhe janë realisht si Maldivet, këtu ke ca restorante spektakolare, nga më të mirët që mund të gjesh, por po hyre këtu brenda as s’ka parkime, dhe kjo është një gjë që ne duhet të zëmë mend që aty duhet investuar mirë, pastër. Duhen mbjellë lule sepse pjesa tjetër e Shqipërisë po ndryshon.
Alket Islami: Unë jam habitur vjet, në darkë ora 9 në Ksamil, dy vajza dy metra të gjata me grim, duke parë orën e duke shkuar në takim në restorant. Një jetë e jashtëzakonshme te ajo rrëmuja aty, të huaja ato.
Blendi Fevziu: Është vend i jashtëzakonshëm, zor se gjen plazh të tillë në Shqipëri, problem flas për investimet në brendësi.