Viti 2020 ka qenë shumë i vështirë për futbollin shqiptar. Pandemia ka ndikuar edhe në këtë sport, si në çdo fushë tjetër të jetës, me mbylljen e stadiumeve dhe zbehjen e interesit në një periudhë ku prioriteti është tërësisht tjetër. Por kjo nuk ka ndaluar klubet shqiptare që të jenë mjaft aktive në merkaton e lojtarëve, siç e zbulon edhe raporti i fundit i FIFA-s.
Kjo e fundit, duke u bazuar te të dhënat zyrtare të sistemit të saj TMS, ku regjistrohet çdo transferim i mundshëm, ka zbërthyer edhe shifrat bazë të futbollit shqiptar sa i përket vitit kalendarik që sapo u mbyll.
Kështu, rezulton se 24 klube shqiptare të futbollit profesionist kanë regjistruar 153 futbollistë në hyrje nga jashtë kufinjve gjatë vitit të kaluar, ndërsa në total janë shpenzuar 200 mijë dollarë për ta. Nga ana tjetër, lojtarët e larguar kanë qenë 106, nga vetëm 7 klube të përfshira në këtë eksod që duket se ka qenë masiv për ta. Në këtë rast, ka pasur edhe fitime, pasi të dhënat e FIFA-s tregojnë se në fund rezulton se për këta transferime në dalje janë arkëtuar 800 mijë dollarë. Me pak fjalë, për 259 transferime në total gjatë vitit 2020 në futbollin profesionist në Shqipëri, janë siguruar 600 mijë dollarë fitime.