“Fiks Fare” denoncoi shkatërrimin e Ujësjellësit 8-vjeçar në fshatin German, në Burrel. Në atë kohë, ish-komuna Komsi akordoi rreth gjysmëmiliardi lekë të vjetra për ndërtimin e veprës që dërgonte ujë në tri fshatra. Por, me kalimin e viteve, ujësjellësi u shkatërrua, ndërsa në shtëpitë e banorëve aktualisht shkojnë mbeturina, madje edhe mbetje kafshësh.

Por, 8 vite më pas, Bashkia e Matit fitoi një projekt nga Fondi i Zhvillimit për ndërtimin e të njëjtit ujësjellës. Fondi për rindërtimin e kësaj vepre është mbi një milion euro, duke hedhur në “kosh” fondin e mëparshëm.

“Fiks Fare” bisedoi me banorë dhe punonjës të firmës aktuale, të cilët thanë se punimet e vitit 2011 dhe 2019 po bëhen nga i njëjti person, Kujtim Lleshi. Pra, e njëjta dorë që bëri ujësjellësin që iu kushtoi arkave të shtetit gjysmëmiliardi lekë, po bën sërish punime.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan disa banorë, të cilët thanë se uji që shkon në shtëpitë e tyre ka mbeturina, madje edhe bretkosa dhe gjarpërinj. Gazetarët shkuan në depot e ujëmbledhësit, sipër fshatit German në Burrel. Depot ishin vendosur në mes të shkurreve, ndërsa zona nuk ishte pastruar apo rrethuar. Depot nuk kishin as filtra dhe të gjitha mbeturinat shkonin në çezmat e banorëve të zonës. Madje, në ujëmbledhës kullosin edhe bagëti, ndërsa kamera e “Fiks Fare” filmoi edhe një qen që shëtit pikërisht në burimin e ujësjellësit.

“Ujësjellësi është bërë gabim. Ne na vjen uji me fekale, me mbeturina. Ne nga ky ujë pimë. Këtu kullot bagëtia. Ujësjellësi i parë ka kushtuar më shumë se gjysmëmiliardi lekë dhe nuk është funksional”, thotë një banor, ndërsa saktëson se “në vitin 2011, ujësjellësi është bërë nga kompania e Kujtim Lleshit”.

Aktualisht, sipas një tabele të vendosur në hyrje të fshatit German, qeveria shqiptare nëpërmjet FSHZH-së ka akorduar një milion e 85 mijë euro për rindërtimin e këtij ujësjellësi. “Fiks Fare” bisedoi me banorë dhe punëtorë të firmës që ka fituar tenderin, të cilët thanë se punimet po kryhen nga i njëjti administrator që ka bërë punimet edhe 8 vite më parë.

“Nënkontraktor është një Halil, Halil Lleshi i zonës. Ai po bën punimet edhe këtej, edhe këtej nga Klosi, se po bën edhe këtej nga fshatrat e Klosit. Ai po bën që në vitin 2010 me këto ujësjellësit. Dhe me çka kam pyetur, është edhe përgjegjësi ynë”, thotë një punonjës.

Ndërkohë, të njëjtin fakt e pohojnë edhe banorët.

Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Bashkinë e Matit dhe biseduan me Pajtim Mollën, ish-kryetar i Komunës Komsi në vitin 2011 dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Mat.

Molla ka bërë tenderin e mëparshëm, ndërsa thotë se në atë kohë zbatimi ka qenë i mirë, por projektimi mund të jetë bërë gabim. Sipas tij, pas ndërtimit të ujësjellësit pati një hetim nga Prokuroria, pas denoncimit të banorëve, por çështja është pushuar. Sipas tij, ujësjellësi ka kushtuar rreth 500 milionë lekë të vjetra dhe një nga nënkontraktorët ka qenë kompania e Kujtim Lleshit. Ai pranoi se aktualisht Lleshi drejton punimet për këtë vepër, ndërsa tha se punon në një firmë nënkontraktore.

Gazetarët e pyesin sesi ka mundësi që një ujësjellës as 10-vjeçar të ribëhet, ndërsa Molla thotë se “faji” ka qenë i projektimit.

BISEDË ME PUNONJËS TË FIRMËS

Fiksi: Këta janë të Burrelit si firmë?
Punonjësi: Jo në Tiranë, e ke parasysh, kemi supervizionin.
Fiksi: Kush e ka si…?
Punonjësi: Është një Xh., kontraktor. Nënkontraktor është një kështu Halil, Halil Lleshi.
Fiksi: Ça është ky?
Punonjësi: Këtu i zonës.
Fiksi: Halil Lleshi ëë?
Punonjësi: Ai po bën punimet dhe këtej dhe këtëj nga Klosi, se po bën edhe këtej nga fshatrat e Klosit. Ai po bën që uhuhu në 2010 me këto ujësjellësit. Dhe me çka kam pyetur, është dhe përgjegjësi jonë.

BISEDË ME NJË BANOR

Banori: Vetë i kanë bërë keq, vetë i shkatërrojnë… Punimet i bëjnë ato të mëdhenjtë, ata që bëjnë llogaritë e veta, u del apo s’u del leku. Nuk kanë bërë vepër marrje, depozitë të madhe që të filtrohet ujti dhe të vijë ujti tamam. S’është i pijshëm, vijnë mbeturinat në çezmë. Ça nuk vinë nga mali. Hardhucka, bretkocka, budallallëqe. Dhe prapë s’kanë për ta ndërruar linjën kryesore, kanë për ta bërë më sipër, 200-300 metra më lart.
Fiksi: Më thanë e ka ky nga Burreli, Halil Lleshi?!
Banori: Halili është inxhinieri, ai ka qenë në ujësjellësin e parë.
Fiksi: Ky Halil Lleshi?
Banori: Ëëë.
Fiksi: Ka qenë dhe në ujësjellësin …
Banori: Bashkë me A.Ll.
Fiksi: Po tani prapë ky është?
Banori: Po, tani është inxhinier teknik.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here