Partia Demokratike ka paraqitur propozime të reja lidhur me financimin e partive politike. Draft projektligji është publikuar nga Panorama.
DRAFTI I PLOTE
PROJEKT-L I G J
Nr.____, datë __.__.2020
PËR FINANCIMIN E PARTIVE POLITIKE
Në mbështetje të neneve 9, 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj rregullon mënyrën dhe kushtet e financimit, administrimin, verifikimin, mbikëqyrjen, transparencën dhe raportimin për financimin e subjekteve zgjedhore për fushatën zgjedhore dhe partive politike për vitin kalendarik në Republikën e Shqipërisë.
Neni 2
Përkufizime
“Shpenzime të fushatës zgjedhore” janë shpenzime të bëra nga ose në emër
të një partie politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, përfshirë
kandidatët dhe/ose degët e saj, ose nga një kandidat i pavarur, për të
promovuar një parti, kandidatët e saj ose një kandidat të pavarur në
zgjedhje, ose përpjekjen për të dëmtuar perspektivën e një partie
tjetër, kandidatëve të partisë tjetër ose një kandidati të pavarur.”
“Periudha e raportimit financiar të fushatës” është periudha shtatë muaj para datës së zgjedhjeve.
“Periudha e fushatës zgjedhore” është periudha nga 30 ditë para datës së zgjedhjeve deri 24 orë para datës së zgjedhjeve.”
Neni 3
Parime të Përgjithshme
1. Financimi i partive politike udhëhiqet nga parimi i transparencës. Të
dhënat për burimet financiare të partive, si dhe për shpenzimet e tyre
publikohen kurdoherë.
2. Rregullat e monitorimit, të mbikëqyrjes dhe të auditimit të burimeve
financiare e materiale, në çdo rast, duhet të respektojnë barazinë e
partive politike përpara ligjit dhe të mos cenojnë të drejtën e krijimit
lirisht të tyre.
Neni 4
Kompetencat e KQZ lidhur me financimin e partive
1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi përgjegjës për
monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive, sipas rregullave të
këtij ligji.
2. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë dhe për zbatimin e këtij ligji, ka këto kompetenca:
a) harton dhe miraton rregullat për raportimin e financimit, për
monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike, si
dhe për formatet e standardizuara për raportimin financiar të partive
politike;
b) miraton formatin e regjistrit të posaçëm të fondeve jopublike të
partive politike, si dhe formatin për formën dhe përmbajtjen e
deklaratës së dhurimit të fondeve jopublike;
c) mban listën e ekspertëve kontabël të licensuar dhe i cakton ata sipas
rregullave të këtij ligji për auditimin e fondeve dhe të shpenzimeve të
partive politike;
ç) monitoron, mbikëqyr dhe auditon financimin e partive politike,
nëpërmjet kontrollit të dokumentacionit financiar e të llogarive
kontabël të partive politike, të subjekteve të lidhura, drejtpërdrejt
ose tërthorazi, me partitë politike apo që ndodhen nën kontrollin e
tyre;
d) vendos sanksione kur konstaton shkelje të dispozitave të këtij ligji;
dh) harton programe ndërgjegjësuese dhe organizon trajnime për
financimin e partive politike dhe të subjekteve të përfshira në këtë
proces, sipas dispozitave të këtij ligji;
e) përcakton masën e fondit publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare, në përputhje me këtë ligj;
ë) nxjerr akte nënligjore në bazë dhe për zbatimin e dispozitave të këtij ligji.
KREU II
FINANCIMI I FUSHATËS
Neni 5
Veprimtaritë e institucioneve publike në fushatë
1. Institucionet publike, qendrore dhe vendore, agjencitë autonome si
dhe çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe
emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit,
pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia, janë të detyruara të
raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që
planifikojnë të zhvillojnë në periudhën gjashtë muaj para datës së
zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve. Raportimi është përgjegjësi
personale e personit përgjegjës për drejtimin administrativ të
institucioneve publike, agjencive dhe ndërmarrjeve shtetërore
(sekretarit të përgjithshëm të institucionit, ose sipas rastit, e
drejtorit të përgjithshëm apo drejtorit ekzekutiv). Raportimi duhet të
kryhet jo më vonë se 48 orë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin
e veprimtarisë.
2. Për qëllimin e raportimit sipas pikës 1 të këtij neni, KQZ-ja mban
dhe administron ndërfaqen e raportimit të veprimtarive publike. Personat
përgjegjës marrin akses të personalizuar tek kjo ndërfaqe dhe hedhin të
dhënat për datën dhe orën e veprimtarisë, llojin e saj, tematikën,
nivelin më të lartë të pjesëmarrjes, të ftuarit e nderit, folësit e
planifikuar dhe mediatizimin. Informacioni sipas këtij paragrafi është i
aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes
së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të
zgjedhjeve.
3. Në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton
nga informacioni sipas pikës 2 të ketij neni, se veprimtaria mund të
përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron
ndalimin e zhvillimit të saj. Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së
shënimit “Ndaluar nga KQZ ” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i
takon veprimtarisë. Shënimi “Ndaluar nga KQZ ” vendoset jo më vonë se 24
orë nga raportimi. Informacioni sipas kësaj pike është i aksesueshëm
nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të
dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të
zgjedhjeve.
4. Veprimtaritë e ndaluara nga KQZ-ja nuk lejohet të transmetohen apo të
pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio
dhe televizione. Transmetimi ose pasqyrimi i tyre në kundërshtim me këtë
paragraf ngarkon me përgjegjësi sipas këtij ligji transmetuesin
radioteleviziv.
5. Mosraportimi i veprimtarive me karakter publik të institucioneve
publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, ose zhvillimi i
tyre, pavarësisht ndalimit nga KQZ-ja ngarkon me përgjegjësi personi
përgjegjës, si dhe titullarin përkatës të institucionit kur ai ka
penguar zbatimin e kësaj dispozite.
Neni 6
Të drejtat dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore gjatë fushatës
1. Gjatë fushatës zgjedhore, çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme.
2. Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në
rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për
vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose
persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për
paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të
caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në
veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie
politike.
Neni 7
Afishimi i materialeve propagandistike
1. Jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, kryetari i bashkisë,
në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, përcakton vendet publike në
territorin e bashkisë përkatëse për afishimin prej partive politike dhe
subjekteve zgjedhore, të materialeve propagandistike.
2. Vendet e caktuara duhet të jenë në ambiente që sigurojnë vizibilitet
publik dhe të kenë hapësirë të mjaftueshme ku të gjitha subjektet
zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhje të paraqesin programet e tyre
zgjedhore dhe mesazhet zgjedhore. Vendimi i kryetarit të bashkisë
mënjëherë pas miratimit bëhet publik në faqen e internetit të bashkisë.
3. Gjatë fushatës zgjedhore përdorimi dhe afishimi i çdo materiali
tjetër statik për propagandë zgjedhore, përfshirë flamujt dhe posterat,
lejohet vetëm në një largësi prej deri 5 metrash nga zyra zgjedhore e
partisë politike apo subjektit zgjedhor.
4. Ndalohet përdorimi i materialeve propaganduese statike në kundërshtim
me përcaktimet e bëra në pikën 2 të këtij neni. Me “materiale
propaganduese statike” kuptohen të gjitha materialet që i shërbejnë
subjektit zgjedhor apo partisë politike për promovimin e fushatës
zgjedhore dhe që janë vendosur ose afishuar në vende ose hapësira
publike me akses publik, si shtyllat e ndriçimit të rrugëve, fasadat e
ndërtesave, sheshet, pjesët ballore të dyqaneve ose ndërtesave, përgjatë
rrugëve të qyteteve, rrugëve ndërqytetëse, etj.
5. Policia Bashkiake dhe/ose Policia e Shtetit garantojnë zbatimin e
përcaktimeve të bëra në këtë nen duke hequr menjëherë çdo material
propagandues të subjekteve zgjedhorë në vendet jashtë përcaktimeve të
bëra në pikën 1 dhe 2 të këtij neni.
KREU III
FINANCIMI I SUBJEKTEVE ZGJEDHORE
Neni 8
Fondet nga Buxheti i Shtetit për financimin e partive
pjesëmarrëse në zgjedhje
1. Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më
pak se 0,5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga
Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë
në ato zgjedhje. Fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit
dhe përbën zë më vete në Buxhetin e Shtetit për vitin zgjedhor
përkatës.Ky fond nuk mund të jetë më pak sesa totali i shumave të
shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse.
2. KQZ-ja, brenda 5 ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar në
shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të një vote të
vlefshme, duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar, me numrin e
përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike
pjesëmarrëse në zgjedhjet e radhës, që kanë fituar jo më pak se 0,5 për
qind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Për zgjedhjet e organeve të
qeverisjes vendore llogaritja bëhet mbi bazën e votave të marra për
këshillat vendorë në shkallë vendi.
3. KQZ-ja përllogarit shumën që i takon secilës parti, duke shumëzuar
vlerën në para të një vote të vlefshme, të përcaktuar sipas pikës 2 të
këtij neni, me numrin e votave të vlefshme që ka marrë secila parti në
zgjedhjet e radhës.
4. KQZ-ja zbret nga shuma e përllogaritur sipas pikës 3 sanksionet
financiare që janë bërë titull ekzekutiv, të vëna për partinë përkatëse,
sipas këtij ligji.
5. Shuma e mbetur pas përllogaritjeve të pikës 4 është shuma e cila
përfiton partia pjesëmarrëse në zgjedhje nga Buxheti i Shtetit.
6. Në rast se shuma e përllogaritur në pikën 4 të këtij neni është më e
lartë se totali i shpenzimeve të fushatës zgjedhore të raportuara nga
partia politike apo subjekti zgjedhor ose është vlerësuar si e tillë nga
KQZ-ja sipas auditimeve të pavaruara apo verifikimeve të saj, subjekti
zgjedhor/partia politike është e detyruar të kthejë diferencën në KQZ .
7. Në rast se partia politike apo subjekti zgjedhor nuk zbaton
përcaktimin e bërë në pikën 6 të këtij neni, atëherë përjashtohet nga e
drejta për të përfituar fonde publike për një periudhë jo më pak se 5
vjet.
8. Në çdo rast KQZ ka të drejtë që të vendosë kompesimin midis shumave
që subjektet duhet të kthejnë në KQZ sipas parashikimeve të këtij neni
dhe shumave që ajo shpërndan sipas ligjit për vitin pasardhës.
Neni 9
Burimet e financimit të fushatës zgjedhore
1.Burimet e financimit të fushatës për subjektet zgjedhore janë:
a) fondet e dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore;
b) të ardhurat e vetë subjektit zgjedhor të krijuara sipas ligjit;
c) dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime të dhëna, sipas nenit 13 të këtij ligji;
ç) kreditë e marra nga partitë politike sipas ligjit. Në asnjë rast
vlera e një kredie nuk duhet të kalojë shumën e parave, sipas pikës 2 të
nenit 13 të këtij ligji.
2. Ndalohet financimi i fushatave zgjedhore nga fonde, dhurata apo shërbime pa kundërshpërblim, të dhëna nga persona fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, jashtë rasteve dhe rregullave të parashikuara nga ky ligj. Shkelja e këtij ndalimi sjell përgjegjësi ligjore për personin përgjegjës për financat në atë parti politike, si dhe për personin fizik ose juridik, vendas apo të huaj.
3. KQZ-ja përcakton me vendim rregullat dhe modalitetet e nevojshme
për llogaritjen e vlerës monetare të dhurimeve në natyre ose të
shërbimeve të dhëna, sipas vlerës së tregut në momentin e dhënies së
tyre.”
4. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, kontributetet e dhëna
kandidatëve të subjekteve zgjedhore konsiderohen si kontribute për
partinë politike për të cilën ata kandidojnë.
Neni 10
Fondet e dhëna nga Buxheti i Shtetit për fushatën zgjedhore
Fondi i përcaktuar me vendim të Kuvendit, sipas pikës 1 të nenit 8 të
këtij ligji, u shpërndahet partive të regjistruara si subjekte
zgjedhore si më poshtë:
a) 90 përqind e fondit i shpërndahet partive politike të rregjistruara
si subjekte zgjedhore të cilat kanë marrë jo më pak se 0.5 përqind të
votave të vlefshme në zgjedhjet pararendëse.
b) b) 10 përqind e fondit i shpërndahet partive politike dhe kandidatëve
të pavarur të rregjistruar si subjekte zgjedhore dhe që nuk përfitojnë
sipas shkronjës “a” të këtij neni.
Fondi i mësipërm u shpërndahet partive politike paradhënie, përpara zhvillimit të zgjedhjeve.
Neni 11
Mënyra e përllogaritjes së fondit paradhënie
1. Fondi i përcaktuar sipas shkronjës “a” të nenit 10 të këtij ligji
llogaritet duke pjesëtuar këtë fond me totalin e votave të vlefshme të
grumbulluara nga partitë politike, që përfitojnë sipas shkronjës “a” të
nenit 10 të këtij ligji. Herësi i dalë nga ky pjesëtim shumëzohet me
numrin e votave të vlefshme që ka marrë partia politike përkatëse në
zgjedhjet paraardhëse.
2. Fondi i përcaktuar sipas shkronjës “b” të nenit 10 te ketij ligj
ndahet duke pjesëtuar këtë fond me numrin e partive politike që
përfitojnë, por në asnjë rast kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se
shuma më e vogël e përfituar nga një parti, sipas pikës 1 të këtij neni.
3. Për zgjedhjet e përgjithshme si kriter përdoret rezultati në shkallë
vendi, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet e përgjithshme paraardhëse.
Për zgjedhjet për qeverisjen vendore si kriter përdoret rezultati në
shkallë vendi për këshillat vendorë, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet
paraardhëse për qeverisjen vendore.
4. Fondi i përcaktuar për t’u shpërndarë, sipas nenit 10, i jepet
secilës parti jo më vonë se 5 ditë nga regjistrimi i listave
shumemërore, apo kandidatëve për kryetar të njësive të qeverisjes
vendore të partisë përkatëse.
Neni 12
Ndalimi i përdorimit të burimeve publike në mbështetje
të subjekteve zgjedhore
1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të
përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike
ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në
nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron
kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo
organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose
pronësia.
2. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të
paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo
burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore”
kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së
institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe
përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve
të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore. Përdorimi i
burimeve njerëzore përfshin edhe presionin ose ofrimin e përfitimeve
nëpunësve publikë ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që
lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit.
3. Gjatë fushatës zgjedhore ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna,
lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet
publike, me përjashtim të rasteve të përligjura. Konsiderohen raste të
përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e
shkeljeve, sipas legjislacionit përkatës, ose marrja në punë bëhet
brenda strukturës dhe organikës në fuqi përpara fushatës zgjedhore nga
institucioni apo enti publik në përmbushje të misionit të tij. Bëjnë
përjashtim rastet e emergjencave për shkak të ngjarjeve të
paparashikuara që diktojnë marrjen në punë.
4. Ndalohet transmetimi nga Radio Televizioni Publik i aktiviteteve të
institucioneve publike qendrore dhe vendore për qëllime zgjedhore. Një
aktivitet është për qëllime zgjedhore kur ai promovon arritjet
institucionale, investimet ose progresin me punët publike ose kur
promovon aspekte specifike të programit zgjedhor të subjektit zgjedhor.
5. KQZ-ja nxjerr udhëzime të hollësishme për të përcaktuar përdorimin dhe shpërdorimin e burimeve publike.”
Neni 13
Financimi i subjekteve zgjedhore nga fondet jopublike
1. Subjektet zgjedhore mund të marrin fonde, për qëllime të fushatës
së tyre zgjedhore, vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Për
qëllim të këtij ligji, konsiderohet person fizik vendas edhe shtetasi
shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti
zgjedhor, duke përfshirë dhe kandidatët nuk mund të jetë më e madhe se 1
milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime.
3. Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i
tij si dhe personat e lidhur te tyre deri ne shkalle të trete, nëse
ndodhet në një nga kushtet e mëposhtme:
a) ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 4
vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë.“Ky ndalim zbatohet edhe në
rastin e nënkontraktimeve apo të kontratave te partneritetit publik
privat.”;
b) ushtron veprimtari në fushën e medias;
c) ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme;
ç) ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo
institucioni publik. Ky detyrim nuk zbatohet nëse aksionari i zotëron
këto aksione si rezultat i ofertës publike.
4. Personat fizikë ose personat juridikë apo personat e lidhur deri ne
shkalle te trete që i kanë bërë dhurime një partie politike apo
kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 4 vjet
pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit
publik privat ose në çdo mënyrë mënyrë tjetër fonde me vlerën torale që
tejkalon shumën prej 10 milion lekë, përfshirë edhe si nënkontraktues të
një kontrate/koncesioni publik.”
Neni 14
Fondet jopublike dhe rregjistrimi i tyre
1. Shuma e shpenzimeve të bëra nga një parti politike, përfshirë
kandidatët e saj, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë një herë e
gjysëm më shumë se shuma që partia ka marrë nga fondet publike për
qëllime zgjedhore, në përputhje me nenin 11 të këtij ligji. Çdo shpenzim
i fushatës zgjedhore dokumentohet dhe zbatohet në përputhje me
legjislacionin fiskal në fuqi.Për zbatim të këtij ligji “shpenzim për
fushatë” është çdo shpenzim që bën një parti ose kandidatët e saj për
qëllime të fushatës zgjedhore, pavarësisht datës se kur është bërë.
2. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përputhje me fondin maksimal të
parashikuar në pikën 1, të këtij neni, përcakton maksimumin e
shpenzimeve për çdo fushatë zgjedhore, nisur nga gjendja e përgjithshme
ekonomike në vend, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në
listën e zgjedhësve, aktivitetet, shërbimet dhe materialet e nevojshme
për realizimin e një fushate zgjedhore.
3. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton me udhëzim listen e referencës
së kostos financiare të çdo aktiviteti, materiali propagandistik si
flamuj, bluza, foni, aktivitet argetuese, shërbimi apo materiali
tjetër,etj, që do të përdoret për qëllime zgjedhore ose politike, nga
partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.
4. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton me udhëzim llojet dhe numrin
e aktiviteteve, veprimtarive, shërbimeve, zyrave elektorale dhe
materialeve të lejuara për t’u përdorur nga një parti politike gjatë
fushës zgjedhore.
5. Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të
posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të
përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që
lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit,
dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një
nga rrethanat e përcaktuara në nenin 13 të këtij ligji dhe mban
përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e
deklaratës miratohet nga KQZ-ja dhe është e detyrueshme për t’u
nënshkruar në çdo rast dhurimi.
6. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 30 mijë lekë
duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga
subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më
vonë se tre ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e
llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare
për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së.
7. Detyrimet e parashikuara në këtë nen vlejnë edhe për kandidatët e
propozuar nga zgjedhësit,të regjistruar sipas neneve 69 dhe 70 të Kodit
Zgjedhor. Shpenzimi total që mund të kryejë kandidati i propozuar nga
zgjedhësit nuk duhet të kalojë 50 për qind të shumës më të madhe që një
subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas nenit 11 të këtij
ligji.”.
Neni 15
Deklarimi dhe publikimi
1. Subjektet zgjedhore, janë të detyruara të paraqesin Raport
Financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 30 ditëve nga dita e
zgjedhjeve.
2. Kandidatët për deputet në zgjedhjet për Kuvendin dhe kandidatët për
organet e qeverisjes vendore në zgjedhjet për organet e qeverisjes
vendore, janë të detyruar të dorëzojne një kopje të raportit financiar
për fushatën zgjedhore pranë partisë politike, sipas rregullave të
vendosura nga partia politike, dhe një kopje të raportit financiar për
fushatën zgjedhore drejtpërdrejt në KQZ sipas afatit të përcaktuar në
pikën 1 të këtij neni.
3. Raporti i përmendur në pikën 1 dhe 2 të këtij neni dorëzohet sipas
një modeli të miratuar nga KQZ-ja. Ai duhet të përmbajë informacion në
lidhje me:
i) Çdo dhurim që i është bërë partisë/subjektit zgjedhor (duke përfshirë
edhe degët dhe kandidatët e saj) gjatë fushatës zgjedhore dhe gjashtë
muaj para fushatës dhe burimin e tij, përfshirë edhe dhurimet apo
shërbimet në natyrë.
ii) Të ardhurat për qëllime të fushatës zgjedhore nga të gjitha burimet e tjera të lejuara.
iii) Të gjithë zërat e shpenzimeve për qëllime të fushatës zgjedhore siç
përcaktohen në vendimin e KQZ-së dhe në nenin 14, pika 3 të këtij Kodi.
iv) Bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën
nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve.
4. Çdo parti politike që merr pjesë në zgjedhje mban dhe ruan në arkivë
për një periudhë prej 7 vjetësh, dokumentacionin e plotë dhe të
hollësishëm të statusit të saj financiar dhe të degëve të saj për
periudhën që mbulon ky raport, duke përfshirë:
i) librat e llogarive/kontabilitetit, mbajtur në përputhje me
legjislacionin në fuqi, ku pasqyrohen të gjitha të ardhurat sipas
burimit dhe shumës, identifikohet si është bërë pagesa, si dhe pagesat e
bëra personave të tretë, qëllimet e pagesave dhe se si është kryer çdo
pagesë;
ii) dokumentacionin e të gjitha shpenzimeve të bëra; iii) situatën dhe lëvizjet në llogarinë e saj bankare;
iv) dokumentacionin e plotë të pronave të paluajtshme që zotëron partia
politike, si dhe çdo kontratë të lidhur për marrje me qira, dhënie me
qira, porositje, apo shitje të pronave të luajtshme dhe të paluajtshme.
Neni 16
Monitorimi i fushatës zgjedhore
1. Jo më vonë se shtatë muaj para datës së zgjedhjeve, Komisioni
Qendror i Zgjedhjeve emëron me short një numër të mjaftueshëm ekspertësh
financiarë, për të kryer monitorimin e fushatës zgjedhore të partive
politike, duke përfshirë aktivitetet, veprimtaritë dhe materialet e
përdorura prej tyre gjatë fushatës zgjedhore.
2. Raporti i monitorimit i paraqitet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit, por në çdo rast jo
më vonë se 4 muaj nga data e zgjedhjeve. Raporti detajon në mënyrë të
plotë të gjitha aktivitetet, veprimtaritë dhe materialet që ka përdorur
partia politike gjatë fushatës zgjedhore.
3. Ekspertët financiarë kanë të drejtë që të kërkojnë dhe verifikojnë
edhe transaksionet financiare të kryera për periudhën 3 muaj përpara dhe
pas ditës së zgjedhjeve, nga persona fizikë ose juridikë, vendas ose të
huaj, me qëllim evidentimin e transaksioneve të pajustifikuara dhe që
mund të jenë përdorur për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore
të një ose disa partive politike.
4. Me kërkesë të ekspertit financiar, të përcjellë nëpërmjet Sekretarit
të Përgjithshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bankat e nivelit të
dytë dhe subjektet e tjera që ushtrojnë aktivitete bankare dhe
financiare në Republikën e Shqipërisë, janë të detyruara të japin
informacion mbi depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera gjatë
periudhës së monitorimit. Ato bëhen publike vetëm nëse vërtetohet se
janë përdorur për financim të paligjshëm të një partie politike dhe në
këtë rast Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paraqet kallëzim penal në
organin e prokurorisë.
5. Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit
të ekspertëve financiarë, si dhe mënyra e ushtrimit të veprimtarisë nga
ana e tyre, përcaktohen me udhëzim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Neni 17
Verifikimi i fushatës nga subjektet zgjedhorë
1. Subjektet zgjedhorë të rregjistruar në zgjedhje kanë te drejtë të
verifikojnë, gjashtë muaj përpara datës së zgjedhjeve, raportet e
bankave të nivelit të dytë të cilat përcillen dhe depozitohen pranë
Drejtorisë së Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
2. Verifikimi kryhet drejtpërdrejt nëpërmjet një ekspertit financiar i
cili propozohet nga koalicioni ose partia parlamentare kur kjo garon e
vetme dhe miratohet nga KQZ-ja.
3. Në rastet kur ekspertët financiarë të subjekteve vërejnë shkelje
gjatë procesit të verifikimit, ata informojnë KQZ-në përmes mënyrës së
përcaktuar nga KQZ-ja. Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i të
dhënave, sipas këtij neni, u nënshtrohet rregullave për mbrojtjen e të
dhënave personale.
Neni 18
Portali për denoncime në lidhje me financimet
1. KQZ-ja krijon dhe mirëmban për periudhën 6 muaj para datës së
zgjedhjeve deri në gjashtë muaj pas datës së zgjedhjeve portalin në
internet, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e
mundshme të këtij Kodi nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje
me financimin e fushatës.
2. Kriteret dhe procedurat e hollësishme për funksionimin dhe
mirëmbajtjen e portalit, procedurat e hetimit administrativ dhe afatet e
tij, si dhe konkluzionet qe duhet të arrihen në përfundim të tij
përcaktohen me vendim të KQZ-së.
Neni 19
Auditimi i fondeve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore
1.Jo më vonë se 5 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të
zgjedhjeve, për çdo parti politike të regjistruar si subjekt zgjedhor,
apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, KQZ-ja emëron një apo më
shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas nenit 19 të
këtij ligji për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të
shpenzuara për fushatën zgjedhore. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ
brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit. Raporti nuk mund të
përfshijë të dhëna personale të dhuruesve nën vlerën e parashikuar në
pikën 2 të nenit 14 të këtij ligji
2. Subjektet zgjedhore të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni duhet të
vënë në dispozicion të auditit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion,
dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e
fushatës zgjedhore, sipas këtij Kodi.
3. Subjektet zgjedhore që auditohen duhet të vënë në dispozicion çdo
informacion që disponojnë nga bankat, institucione apo persona të tretë
që kanë lidhje me auditimin ose të autorizojnë auditorin për tërheqjen e
tyre nga të tretët. KQZ-ja vë në dispozicion të auditorit në çdo fazë
të auditimit informacionet që i paraqiten nga të tretët mbi objektin e
auditimit.
4. KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më
vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga
data e mbylljes së verifikimeve përkatëse. Emri i personave që dhurojnë
shuma jo më pak se 30 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse publikohen
bashkë me raportin.
5. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë kre nga subjektet
zgjedhore apo dhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është
kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet sipas parashikimeve të nenit
30 të këtij ligji.
6. KQZ ka të drejtën të verifikojë drejpërdrejt shpenzimet e fushatës zgjedhore për cdo parti parti politike të rregjistruar si subjekt zgjedhor, kandidatët apo kandidatë e propozuar nga zgjedhësit, ose të verifikojë raportin e auditimit sipas pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja për zbatim të këtij neni ka të drejtë të kërkojë të dhëna, dokumente apo informacion nga subjektet zgjedhore apo persona të tretë, të cilët duhet t’i përgjigjen kërkesës së KQZ-së brenda 15 ditëve nga marrja e saj. Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e verifikimit të kryer nga KQZ-ja raportohet në prokurori si vepër penale, sipas nenit 248 të Kodit Penal, si dhe ndërshkohen administrativisht prej saj në përputhje me nenin 30 të këtij ligji”
Neni 20
Përzgjedhja e auditëve nga KQZ-ja
1. KQZ-ja përzgjedh me konkurrim një listë të audituesve ligjore në fillim të vitit zgjedhor.
2. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 auditues ligjor, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në 5 vitet e fundit.
3. Partia kryesore e mazhorancës ka të drejtë të perzgjedhë një apo më
shumë auditues ligjor nga lista e audituesve të miratuar nga KQZ-ja
sipas pikës 2 të këtij neni, për të audituar fondet e përfituara dhe të
shpenzuara nga partia kryesore e opozitës parlamentare. Pasi ka
përzgjedhur partia kryesore e shumicës këtë të drejtë e ushtron partia
kryesore e opozitës parlamentare, e cila përzgjedh nga lista e
audituesve ligjorë të miratuar nga KQZ-ja audituesin ligjor për të
audituar fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga partia kryesore e
mazhorancës. Kjo procedurë ndiqet dhe për partinë e dytë të shumicës dhe
partinë e dytë të opozitës parlamentare. Për partitë e tjera
pjesëmarrëse në zgjedhje KQZ emëron me short një apo më shumë auditues
ligjor për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara
për fushatën zgjedhore.
4.Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit
të tyre përcaktohen me udhëzim të KQZ-së. Në çdo rast një auditor nuk
mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi.
5. Buxheti për zgjedhjet duhet të parashikojë fondin e nevojshëm për
auditimin e subjekteve zgjedhore dhe monitoruesit e shpenzimeve të
fushatës zgjedhore. KQZ-ja përcakton me vendim kushtet kontraktuale për
këtë gjë.
KREU IV
MJETET FINANCIARE DHE MATERIALE TË PARTIVE POLITIKE
Neni 21
Partitë politike janë person juridik. Ato kanë pasuri për kryerjen e
veprimtarisë së tyre. Partitë politike kanë mjetet e tyre të
propagandës, si dhe institucionet përkatëse realizuese të tyre.
Neni 22
Burimet financiare dhe materiale të partive politike përbëhen nga kuotat
e anëtarësisë, nga fondet publike, duke përfshirë edhe ndihmën
financiare në masën e caktuar në Buxhetin e Shtetit të miratuar me ligj
nga Kuvendi, fondet jopublike, të cilat janë dhurimet financiare,
dhurimet në natyrë, shërbimet, sponsorizimet, kreditë apo garancitë e
ndryshme, si edhe çdo transaksion tjetër financiar.”.
Neni 23
1. Çdo vit në Buxhetin e Shtetit përcaktohet një fond që shërben si
ndihmë financiare publike për kryerjen e veprimtarisë vjetore të partive
politike. Ndihma financiare e parashikuar në Buxhetin e Shtetit në
vitet jozgjedhore, si rregull, nuk mund të jetë më e vogël se ndihma e
parashikuar në vitin paraardhës.
2. Ky fond ndahet sipas rregullave të mëposhtme:
a) 70 për qind, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e
fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare
në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar në bazë të sistemit
zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor;
b) 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare
dhe partive që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit
parlamentare;
c) 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që
kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1
për qind të votave në shkallë vendi.
Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare.
3. Masa konkrete e fondit publik, që përfiton çdo parti politike në
formën e ndihmës financiare vjetore, në përputhje me këtë ligj,
përcaktohet me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky vendim u
njoftohet partive politike përfituese dhe Ministrisë së Financave.
4. Ndihma financiare vjetore, në çdo rast, jepet vetëm nëse partia
politike ka dorëzuar, paraprakisht, raportin financiar të vitit
paraardhës, sipas rregullave të përcaktuara nga Komisioni Qendror i
Zgjedhjeve. Mosdorëzimi i këtij raporti përbën shkak për përjashtimin e
partisë politike nga përfitimi i ndihmës financiare vjetore.
5. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që përcakton masën
konkrete të fondit publik për çdo parti politike, mund të ankimohet në
gjykatë, në përputhje me rregullat për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve
administrative.
6. Partia Politike, tridhjetë për qind të fondit të përfituar nga
buxheti i shtetit, si rregull e vë në dispozicion për organizimin dhe
funksionimin e organizatave partnere, organizatave rinore dhe /ose
entiteteve të tjera me funksione politike, akademike dhe edukative, të
lidhura me partinë politike, si fondacione, akademi, shkolla politike
etj.
Neni 24
1. Ndalohet krijimi i personave juridikë tregtarë e jotregtarë, që
ushtrojnë veprimtari me qëllim fitimi, nga partitë politike apo
nëpërmjet të tretëve.
2.Partitë politike mund t’i përdorin pasuritë e mjediset e tyre për
veprimtari ekonomiko-shoqërore të karakterit të botimeve,
shtypshkrimeve, shërbimeve apo dhënies me qira, sipas legjislacionit në
fuqi.
Neni 25
1.Ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga qeveri dhe nga ente
publike ose private të huaja, si dhe nga ente vendase publike ose me
pjesëmarrje të kapitalit shtetëror.
2.Lejohen dhuratat dhe ndihmat që vijnë nga parti ose bashkime
ndërkombëtare partish, nga organizata e fondacione politike, vendase e
të huaja, si dhe nga individë, persona fizikë e juridikë privatë vendas.
Neni 26
1. Partitë politike dorëzojnë jo më vonë se 31 marsi raportet financiare
një herë në vit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duhet
të përmbajnë informacion të hollësishëm për:
a) burimet e financimit në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;
b) shpenzimet në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;
c) subjektet e lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me partitë
politike apo që kontrollohen prej tyre, të cilat deklarohen nga vetë
partia politike.
2. Partitë politike dorëzojnë raportin vjetor financiar, së bashku me
raportin e auditimit, të kryer nga audituesit ligjor, në përputhje me
dispozitat e këtij ligji.
3. Dorëzimi i raportit financiar vjetor bëhet nga personi përgjegjës për
financat në partinë politike ose personi i përcaktuar sipas statutit të
partisë politike, brenda afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i
Zgjedhjeve.
4. Gjatë vitit zgjedhor, raportet financiare të partisë duhet të
dorëzohen së bashku me raportin financiar të fushatës zgjedhore.
5. Raporti financiar vjetor, raporti i ekspertëve kontabël të licencuar,
raporti financiar i fushatës zgjedhore dhe raporti i Komisionit Qendror
të Zgjedhjeve publikohen në faqen zyrtare të internetit të Komisionit
Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se 30 ditë nga koha e dorëzimit të tyre
prej partisë politike.”
Neni 27
1. Çdo parti politike duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm,
sipas formatit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shumën e
fondeve të përfituara nga çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna
që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çdo rast, dhuruesi,
në kohën e dhurimit, nënshkruan detyrimisht një deklaratë dhurimi, sipas
formatit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Lista e
personave, që dhurojnë shuma jo më pak se 30 mijë lekë, si dhe vlera
përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike.
2. Dhurimi i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 30 mijë lekë,
duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme, të hapur në një bankë
nga partia politike. Personi përgjegjës për financat në partinë
politike, brenda tre muajve nga krijimi i partisë politike, deklaron
pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numrin e llogarisë bankare, të
hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik
publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve.
3. Ndalohet përfitimi i fondeve jopublike, kryer nga subjekte që nuk
deklarojnë identitetin e tyre apo identiteti i të cilave është i
papërcaktuar qartë nga partia politike përfituese e fondit jopublik.
4. Çdo shpenzim i kryer nga partia politike kryhet dhe dokumentohet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi.
Neni 28
1. Në listën e ekspertëve kontabël të licencuar, që KQZ-ja mban në
zbatim të këtij ligji, përfshihen të gjithë ekspertët kontabël të
licencuar me eksperiencë, që e ushtrojnë këtë profesion më shumë se pesë
vjetët e fundit, të cilët aplikojnë.
2. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve cakton një apo më shumë ekspertë
kontabël të licencuar nga lista për të kryer auditimin e fondeve të
përfituara dhe të shpenzuara gjatë vitit kalendarik nga partia politike.
Caktimi bëhet brenda 45 ditëve nga data e regjistrimit të partisë
politike dhe në fillim të çdo viti kalendarik. Raporti i auditimit
paraqitet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda afatit të
përcaktuar prej këtij komisioni në vendimin e caktimit të ekspertëve.
3. Partia kryesore e shumicës parlamentare ka të drejtë të perzgjedhë
një apo më shumë auditues ligjor nga lista e audituesve të miratuar nga
KQZ-ja sipas pikës 1 të këtij neni, për të audituar fondet e perfituara
dhe të shpenzuara nga partia kryesore e opozites parlamentare gjatë
vitit kalendarik. Pasi ka përzgjedhur partia kryesore e shumicës këtë të
drejtë e ushtron partia kryesore e opozitës parlamentare, e cila
përzgjedh nga lista e audituesve ligjor të miratuar nga KQZ-ja
audituesin ligjor për të audituar fondet e perfituara dhe të shpenzuara
gjatë vitit kalendarik nga partia kryesore e shumicës. Kjo procedurë
ndiqet dhe për partinë e dytë të shumicës parlamentare dhe partinë e
dytë të opozitës parlamentare. Për partitë e tjera KQZ emëron me short
një apo me shume auditues ligjor për të kryer auditimin e fondeve të
përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore.
4. Partitë politike duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të caktuar
nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çdo informacion, dokument apo të
dhënë, që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e kryera gjatë
vitit kalendarik, sipas këtij ligji.
5. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të bëjë verifikime të të dhënave
të raportit, nëpërmjet pyetjes së personave dhe subjekteve të ndryshme,
këqyrjes së dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave
përkatëse të partive politike që kanë paraqitur raportin, si dhe marrjes
së çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë. Personat fizikë
dhe juridikë janë të detyruar të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin
normal të procedurës së verifikimit.
6. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikon raportet e auditimit për
partitë politike brenda 30 ditëve nga koha e paraqitjes së raportit ose,
sipas rastit, nga koha e mbylljes së procedurës së verifikimit.
7. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë ligj nga partitë
politike apo dhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është
kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas parashikimeve të këtij
ligji.
Neni 29
1. Eksperti kontabël nuk mund të auditojë të njëjtën parti politike për dy vjet radhazi.
2. Shpenzimet e nevojshme për auditimin e partive politike mbulohen nga
vetë partitë politike, të cilat transferojnë fondet e nevojshme, për
këtë qëllim, në llogarinë bankare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Rregullat e hollësishme për realizimin e këtij procesi përcaktohen me
udhëzim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Neni 30
Sanksione në lidhje me financimin e fushatës
1. Shkelja e dispozitave për financimin e partive politike, nga
kandidati, kur përbën vepër penale, sjell shpalljen e pavlefshmërisë së
mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit nga KQZ-ja. Në këtë
rast KQZ-ja njofton Kryetarin e Kuvendit, në rastin e pavlefshmërisë së
mandatit të deputetit, apo Kryeministrin, në rastin e kryetarit të
bashkisë apo të këshilltarit bashkiak.
2. Shkelja e dispozitave për financimin e partive politike, nga partia
politike kur përbën vepër penale, sjell shpalljen e pavlefshmërisë së
mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të fundit të fituar
nga partia politike në zonën zgjedhore me numrin më të madh të votave.
Në këtë rast mandati i kalon partisë me hersin më të madh brenda
koalicionit kur partia është pjesë e koalicionit ose partisë në radhë me
hersin më të madh kur partia garon më vete.
3. Kuvendi miraton me vendim rregullat e detajuara dhe afatet për
marrjen e masave për zbatimin e ndalimeve të parashikuara nga pika 1 dhe
2 e ketij neni.
4. Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga personi
përgjegjës i financës së një partie politike dënohet me një gjobë nga
100 000 deri 200 000 lekë.
5. Pengimi ose mosbashkëpunimi i subjektit zgjedhor me audituesin e -së
dënohet me një gjobë nga 2 000 000 deri 3 000 000 lekë, si dhe me
pezullim të financimit publik të partisë politike për deri në 5 vjet.
6. Mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit
ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekë. Paraqitja e raporteve
në shkelje të formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja
dënohet me gjobë prej 500 000 deri 1 000 000 lekë.
7. Fondet jopublike të përftuara nga një parti politike, identiteti i
dhuruesit të të cilave nuk dihet ose nuk përcaktohet qartësisht,
transferohen në llogarinë e KQZ-së. Gjithashtu partia politike dënohet
dhe me një gjobë të barabartë me shumën e fondeve të marra.
8. Pranimi i fondeve private më vlerë më të madhe se 30 mijë lekë dhe
kur transaksioni nuk është bërë përmes llogarive bankare dënohet me një
gjobë të barabartë me shumën e dhuruar dhe në kalimin e fondeve të marra
për llogari të KQZ-së.
9. Pranimi i fondeve nga donatorë të ndaluar siç specifikohet në nenin
25 dënohet me kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së dhe me
një gjobë të barabartë me dyfishin e shumës së fondeve të marra.
10. Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i
dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme e gjatë procesit të
verifikimit nga KQZ-ja sipas nenit 9, paragrafi 6 ndërshkohet me gjobë
nga KQZ-ja prej 100 000 lekë deri në 3 000 000 lekë.
11. Shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga një subjekt zgjedhor
dënohet me një gjobë prej 5 000 000 lekë ose me një gjobë të barabartë
me shumën që ka kaluar kufirin, cilado që është më e lartë.
12. Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të gjobës së dhënë në
bazë të këtij neni. Gjoba e vënë nga KQZ është titull ekzekutiv dhe
ekzekutohet brenda 30 ditesh nga marrja dijeni për të. Përjashtohet nga
detyrimi të parapaguajë taksën apo tarifën për shërbimin përmbarimor.”
Neni 31
Sanksionet ne lidhje me financimin e partive politike
1. Shkelja e dispozitave për financimin e partive politike nga ana e
personit përgjegjës për financat në partinë politike apo e personit
përgjegjës sipas statutit të saj dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100
000 lekë.
2. Shkelja e detyrimit për bashkëpunim me ekspertin kontabël të
licencuar, të caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga ana e
partisë politike, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.
3. Refuzimi për të bërë transparent burimet e financimit të partisë
politike apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e ekspertit
kontabël të licencuar a të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dënohet me
gjobë nga 2 000 000 deri në 5 000 000 lekë ose/dhe me pezullimin deri në
5 vjet të financimit publik për partinë politike.
4. Shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur
apo paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara, të
miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dënohet me gjobë nga 50
000 deri në 100 000 lekë.
5. Fondet jopublike të përfituara nga partia politike, kur identiteti i
dhuruesit nuk njihet apo nuk është i përcaktuar qartë, kalojnë për
llogari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
6. Pranimi i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë
dhe kur transaksioni nuk është kryer nëpërmjet llogarisë bankare dënohet
me gjobë në masën 30 për qind të shumës së dhuruar.
Neni 32
Në rastet kur një parti politike nuk paguan detyrimet ndaj shtetit që
rrjedhin nga tituj ekzekutivë apo nga akte administrative të
ekzekutueshme, atëherë shuma përkatëse i mbahet nga buxheti shtetëror
vjetor, që parashikohet për ndihmë financiare të partisë përkatëse.
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 33
Fondet nga Buxheti i Shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2020
Fondi për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme për
Kuvendin dhe ato të qeverisjes vendore, përcaktohet me vendim të
Kuvendit dhe përbën zë më vete në Buxhetin e Shtetit për vitin zgjedhor
përkatës.Ky fond nuk mund të jetë më pak sesa trefishi i totalit të
shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse.
Neni 34
Dispozitat e ligjit 8580 “Për partitë politike”, i ndryshuar, për
financimin e partive politike, dispozitat e Kodit Zgjedhor për
financimin e fushates zgjedhore si dhe çdo dispozitë që vjen në
kundërshtim me këtë ligj shfuqizohet.
Neni 35
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
PROPOZIM ALTERNATIV
Mbi strukturën e posaçme të monitorimit
Në rast të pranimit të propozimit Alternativ, pika 1 dhe gërma ç e
pikës 2 të nenit 4 duhet të hiqen. Gjithashtu, neni 15, 16, 18
zëvendesohen si më poshte :
Neni 15
Monitorimi dhe Kontrolli i Shpenzimeve Zgjedhore
1. Me qëllim monitorimin dhe kontrollin e shpenzimeve zgjedhore të
kryera nga partitë politike dhe kandidatët e tyre përgjatë periudhës
zgjedhore, brenda 30 ditëve nga data e dekretit të Presidentit të
Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe zgjedhjeve për
Kuvendin, ngrihet Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e
Shpenzimeve Zgjedhore(SPMKSHZ).
2. Kjo Strukturë ka në përbërjen e saj anëtarë, nga të cilët: 4 anëtarë
janë kandidatura që propozohen nga mazhoranca dhe 5 anëtarë kandidatura
që propozohen nga partitë e opozitës. Kryetari i kësaj Strukturë
përzgjidhet me konsensus ndërmjet 5 anëtarëve të opozitës. Pas
verifikimit të përmbushjes së Kritereve të Kualifikimit, anëtarët dhe
kryetari i kësaj Strukture emërohen dhe shkarkohen pa debat nga Kuvendi i
Republikës së Shqipërisë(Presidenti, KQZ, Vetepropozuesit etj). Secili
prej anëtarëve të kësaj strukture ka të drejtën të zgjedhë 2 ndihmësa me
qëllim asistencën në kryerjen e detyrës. Trajtimi financiar i
Strukturës së Posaçme, rregullohet me Vendim te Keshillit te Ministrave,
brenda 30 diteve nga data për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore
dhe zgjedhjeve për Kuvendin.
3. Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve
Zgjedhore funksionon si një organ kolegjial dhe vendimet e saj merren me
shumicë të thjeshtë. Në mbledhjen e parë të saj, Strukturë e Posaçme
miraton rregulloren e funksionimit të saj.
4. Kriteret për të përzgjedhur anëtarin e SPMKSHZ janë:
a) të jetë me moshë mbi 35 vjeç;
b) të jetë me arsim të lartë në fushën e financës ose drejtësisë;
c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, në fushën e auditimit financiar ose në fushën e drejtësisë;
ç) të mos jetë i dënuar penalisht;
d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 10 vitet e fundit;
dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet, kryetar bashkie apo anëtar i Këshillit Bashkiak në 10 vitet e fundit;
e) të mos ketë qenë pjesëtar në 10 vitet e fundit në Policinë e Shtetit,
në Forcat e Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.
5. Mandati i anëtarit dhe Kryetarit të SPMKSHZ-së përfundon përpara periudhës së parashikuar në ligj, kur:
a) kryen veprimtari politike, njëkohësisht me detyrën e anëtarit apo kryetarit të Strukturës;
b) vdes;
c) jep dorëheqjen nga detyra;
ç) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
d) me veprim ose mosveprim cenon rëndë veprimtarinë e SPMKSHZ-së për
monitorimin dhe kontrollin e shpenzimeve zgjedhore të kryera nga partitë
politike dhe kandidatët e tyre
6. Shkarkimi i anëtarit të SPMKSHZ-së, për shkaqe të parashikuara në
pikën 5 të këtij neni, bëhet me vendim të Kuvendit të Republikës së
Shqipërisë (Presidenti, KQZ, Vetepropozuesit etj.).
Neni 16
Të drejtat dhe detyrat e Strukturës së Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore
1. Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore e ushtron veprimtarinë e saj përgjatë gjithë periudhës zgjedhore përkatëse, deri në hartimin e raportit përfundimtar për veprimtarinë objekt monitorimi e kontrolli.
2. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin Raport Financiar për fushatën zgjedhore pranë SPMKSHZ brenda 45 ditëve nga dita e zgjedhjeve.
3. Gjatë periudhës zgjedhore, Struktura e Posaçme,ka të drejtë të
verifikojë kryerjen e të gjitha shpenzimeve të fushatës zgjedhore për
çdo parti parti politike të rregjistruar si subjekt zgjedhor, kandidatët
apo kandidatë e propozuar nga zgjedhësit, si dhe të verifikojë raportin
financiar të auditimit sipas pikës 2 të këtij neni. Për zbatim të këtij
neni SPMKSHZ ka të drejtë të kërkojë të dhëna, dokumente apo
informacion nga subjektet zgjedhore apo persona të tretë, ne perputhje
me legjislacionin ne fuqi per mbrojtjen e te dhenave personale, të cilët
duhet t’i përgjigjen kërkesës së saj brenda 15 ditëve nga marrja e saj.
Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i
dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e
verifikimit të kryer nga kjo strukturë raportohet në prokurori si
vepër penale, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal, si dhe
ndëshkohen administrativisht prej saj në përputhje me nenin 173 të Kodit
Zgjedhor.
4. Raporti i përmendur në pikën 2 të këtij neni dorëzohet sipas një
modeli të miratuar nga Struktura e Posaçme dhe duhet të përmbajë
informacion në lidhje me:
a) Çdo dhurim që i është bërë partisë/subjektit zgjedhor (duke përfshirë
edhe degët dhe kandidatët e saj) gjatë fushatës zgjedhore dhe gjashtë
muaj para fushatës dhe burimin e tij, përfshirë edhe dhurimet apo
shërbimet në natyrë;
b) Të ardhurat për qëllime të fushatës zgjedhore nga të gjitha burimet e tjera të lejuara.
c) Të gjithë zërat e shpenzimeve për qëllime të fushatës zgjedhore siç
përcaktohen në vendimin e KQZ-së dhe në nenin 90, pika 3 të Kodit
Zgjedhor.
d) Bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën
nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve.
5. Në rastet kur Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e
Shpenzimeve Zgjedhore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj konstaton
shkeljeligjore mbi financimin e fushatës zgjedhore të partisë politike
apo kandidatit të saj, apo kandidatëve të tjerë të propozuar nga një
numër zgjedhësish, atëhere kjo strukturë kryen perkatesisht njoftim apo
kallëzim penal në KQZ apo Prokurorinë e Përgjithshme, për raste të
marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e shkeljeve në fushën zgjedhore;
6. Jo më vonë se 30 ditë nga dorëzimi i raportit të auditimit financiar
nga partitë politike dhe kandidatët e tyre apo kandidatët e tjerë
pjesëmarrës në zgjedhje, Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe
Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore harton dhe publikon raportin
përfundimtar me gjetjet përkatëse mbi monitorimin dhe kontrollin e
shpenzimeve zgjedhore.
7. Mandati i Strukturës së Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e
Shpenzimeve Zgjedhore përfundon brenda 5 ditëve nga dorëzimi i raportit
përfundimtar prane KQZ-se dhe publikimi i tij, sipas pikës 6 të këtij
neni.
Neni 18
Portali për denoncime në lidhje me financimet
1. Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore (SPMKSHZ) mbikqyr portalin e krijuar nga KQZ,për denoncime në lidhje me financimet për periudhën 6 muaj para datës së zgjedhjeve, deri në afatin e percaktuar ne piken 7 te nenit 90/2 të Kodit Zgjedhor, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme të këtij Kodi, nga subjektet zgjedhore, kandidatët e tyre dhe kandidatet e mbeshtetur nga nje numer zgjedhesish, në lidhje me financimin e fushatës.
2. Kriteret dhe procedurat e hollësishme për funksionimin dhe mirëmbajtjen e portalit, procedurat e hetimit administrativ dhe afatet e tij, si dhe konkluzionet qe duhet të arrihen në përfundim të tij përcaktohen me vendim të KQZ-së.”