Sali Berisha vijon që të mos e pranojë humbjen e thellë dhe drastike në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Sërish në një deklaratë për mediat, ai tha se qeveria duke shkelur Kodin Zgjedhor dhe atë Elektoral shpërbleu në mes të fushatës elektorale mijëra pensionistë, po ashtu rriti pagën e administratës publike.
“Në përputhje me betimin tim se do mbroj votën e qytetarëve shqiptarë, jam këtu për të faktuar bazuar në dokumente zyrtare të pakontestueshme, se vota e shqiptarëve u ble para se të hidhej në kuti. U ble në atë shkallë saqë qeveria vendosi kontrollin e plotë mbi rezultatin e zgjedhjeve.
Edi Rama pasi shpalli një kinezëri Kodin Zgjedhor, u vërsul me të gjitha pushtetit e narko-shtetit të rrëmbente votën e shqiptarëve, me qëllim për të blerë haptas apo influencuar votën në dhunim të Kodit Elektoral, qeveria shpërbleu në mes të fushatës elektorale 670 mijë pensionistë me bonus 5 mijë lekë të reja, e barabartë me shumën 33 milion euro.
Qeveria rriti në mes të fushatës elektorale pagën për punonjësit e administratës shtetërore. 13 mijë qytetarë u futën në skemën e pensioneve pa sigurimet. Mbi 20 mijë qytetarë u shtuan në listën e ndihmës ekonomike, dhe mbi 10 mijë të tjerë u paguan si punonjës pa kontratë.
Vetëm në Peshkopi u dhanë miliona lekë për personat me aftësi ndryshe. Këto pagesa u rritën në këtë fushatë me 900 milion lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
