Një ditë pasi qeveria prezantoi “Flamingo Mirror”, platformën ku nisi të publikojë dokumentet zyrtare për projektet dhe çështjet që kanë shkaktuar debat publik, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur këtë të diel shifrat që, sipas tij, janë regjistruar në 24 orët e para. Dosja e parë e publikuar në platformë lidhet me projektet e investimeve në Sazan dhe Zvërnec, ndërsa Rama pretendon se faqja është përballur edhe me 122 sulme kibernetike nga 32 adresa të huaja të cilat, sipas tij, janë zmbrapsur pa shkaktuar asnjë dëm
Sipas shifrave të publikuara nga kryeministri, “Flamingo Mirror” ka regjistruar 3,397 kërkime për faqe dhe mbi 127 mijë kërkime në total. Rama thotë se përmes platformës janë dërguar gjithashtu 49 pyetje të reja.
“Ky është vetëm fillimi i një përballjeje transparente mes fakteve të qeverisjes dhe llumit anti-shtet të kanaleve sociale”, shkruan Rama.
“Flamingo Mirror” u prezantua të shtunën nga qeveria si një portal ku do të publikohen dokumente zyrtare që lidhen me projekte dhe çështje të debatuara publikisht. Sipas Ramës, qytetarët do të kenë mundësi të shohin dokumentacionin e dosjeve dhe përgjigjet për pyetjet që ngrihen rreth tyre.
E para që u bë publike ishte dosja “Sazani dhe Zvërneci”, me dokumentet që lidhen me investimet e parashikuara në dy zonat bregdetare, ku investitor është Jared Kushner, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump, që kanë shkaktuar debate dhe protesta.
Gjatë prezantimit të platformës, Rama njoftoi se në vijim do të publikohen edhe dosje të tjera. Mes tyre përmendi KAYO-n dhe projektin e aksit Milot-Balldren.
