Pas telefonatave që shkaktuan aq shumë turbullira në Ballkan, flasin për herë komedianët që u tallën me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Vladimir Kuzencov dhe Leksus Aleksej thanë se u mërzitën dhe se prandaj vendosën që të publikonin videot.
“Ne e zgjodhëm atë sepse e dëgjuam deklaratën e tij se Rusia po tenton të përzihet në çështjet e brendshme të Maqedonisë, dhe se po tenton ta parandalojë aderimin e Maqedonisë në NATO. E më pas dëgjuam se Rusia ka organizuar protesta vitin e kaluar, kështu vendosëm ta telefonojmë. Arritëm ta kontaktojmë dhe më pas e kuptuam se ai dëshiron të vazhdojë të flasë me ne. Menduam se nuk do të marrim asgjë interesante nga ai, dhe u lodhëm duke folur me të dhe ashtu…”
Por Aleksei ka rrëfyer se ndër “viktimat” e dyshes është edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Ne nuk jemi specialiste për çështjen e Ballkanit! Kemi udhëtuar në Ballkan dhe kemi dëgjuar shumë gjëra. Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, do të jenë dhe janë miq tanë sepse ashtu duan popujt tanë. Sa i përket problemeve… Ne nuk kemi shkaktuar probleme me asnjë shtet zyrtarët e të cilëve i kemi tallur. Kemi tallur edhe kryeministrin e Kroacisë, të Kosovës dhe shumë persona tjerë”.
Kryeministri Zoran Zaev ka rënë pre e përgjimeve. Ai është telefonuar nga komedianët rusë Vladimir Kuzencov dhe Leksus Aleksej, të cilët hiqeshin si ish-presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko. Të dy kanë diskutuar edhe mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Zaev pranoi bisedën por theksoi se nuk jep dorëheqjen. Opozita pret largimin e tij.