Fluksi i lartë i udhëtarëve në pikat kufitare me Greqinë ka bërë që autoritetet shqiptare dhe greke të koordinojnë masat për menaxhimin e lëvizjeve dhe shmangien e radhëve të gjata.
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj, zhvilloi një takim me homologët grekë në Qendrën e Përbashkët të Kontaktit në Kakavijë.
Në takim morën pjesë edhe drejtues të strukturave kufitare të Gjirokastrës, Kakavijës dhe Janinës.
Në fokus ishte përballimi i fluksit në të dyja drejtimet, veçanërisht në pikat më të ngarkuara, si dhe bashkëpunimi për parandalimin e krimeve kufitare.
Palët ranë dakord për intensifikimin e masave të përbashkëta dhe koordinimin e punës në pikat e kalimit, me synim përshpejtimin e procedurave dhe eliminimin e radhëve të gjata.
Policia Kufitare shqiptare deklaron se do të vijojë koordinimin me homologët grekë për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe për të menaxhuar fluksin gjatë kësaj periudhe.
