Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit po përballet me fluksin më të lartë të udhëtarëve për shkak të sezonit turistik, ndërsa Policia e Shtetit dhe Doganat kanë shtuar masat për të garantuar lëvizje më të shpejtë dhe siguri më të lartë për qytetarët dhe turistët.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilluan një inspektim në aeroport për të parë nga afër zbatimin e masave të marra nga Policia Kufitare dhe administrata doganore.
Gjatë inspektimit u vlerësua puna e strukturave përgjegjëse, të cilat po përballojnë një fluks prej rreth 50 mijë deri në 56 mijë pasagjerësh në ditë.
Hita bëri të ditur se, për shkak të sezonit turistik, janë shtuar masat organizative dhe teknike, ndërsa të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në regjim pune 12-orësh, duke rritur me rreth 20% praninë e efektivëve në aeroport.
Një tjetër ndryshim ka qenë ulja e moshës minimale për përdorimin e sistemit automatik të kontrollit e-Gate, nga 16 në 12 vjeç, çka ka rritur numrin e pasagjerëve që kalojnë përmes kontrollit automatik dhe ka reduktuar kohën e pritjes në sportele.
Paralelisht, është përditësuar sistemi TIMS dhe janë riparuar ose zëvendësuar pajisje të kontrollit kufitar, përfshirë kompjuterë, lexues dokumentesh dhe pajisje të tjera teknike.
Drejtori i Policisë së Shtetit theksoi se fokusi kryesor mbetet lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm, ndërsa kontrollet po kryhen mbi bazën e analizës së riskut dhe në bashkëpunim të ngushtë me Doganat.
Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe u shpreh se të dy institucionet janë të angazhuara 24 orë në 24 për të përballuar fluksin e sezonit turistik.
Sipas tij, administrata doganore po punon për të garantuar lëvizje të shpejtë të udhëtarëve, pa cenuar kontrollet e nevojshme për mallrat që hyjnë në territorin shqiptar, ndërsa verifikimet vijojnë si në sektorin e pasagjerëve, ashtu edhe në atë të kargos.

