Zakonisht, Xhakomo Vrioni është pjesë e skuadrës së parë të Juventusit, teksa jo në pak raste bën pjesë në skuadrën fituese të seancave stërvitore. Në këtë formë, duke qenë gjithnjë mes yjesh bardhezi, sulmuesi i kombëtares ka bërë edhe miqësi të bukura.
Një nga këto miqësi të ngushta është me Alvaro Moratën. Ndoshta, nisur nga roli i njëjtë që kanë në fushë, futbollistët janë afruar shumë me njëri-tjetrin dhe raporti i ngushtë mes tyre është parë në këtë moment të vështirë për Vrionin. Ky i fundit u dëmtua në sfidën e fundit të Juventus U23 (shënoi edhe gol), ndërsa tashmë duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për t’u rikthyer në skenarin optimist në muajin mars.

