Kreu i shtetit Ilir Meta përmes një postimi flet për Rikelin, djalin e Ylli Bodinakut që më 2 korrik 1990 shembi murin e ambasadës gjermane. Rikeli ishte foshnja 3 muajshe që u njoh si “foshnja” e demokracisë, dhe sot është 31 vjeç.
Meta thotë se ai nuk dëshiron të largohet nga vendi për të ndërtuar këtu të ardhmen e tij.
“Më 2 korrik 1990, Rikeli hyri 3 muajsh në Ambasadën Gjermane, me “Skodën” e babait të tij, Ylli Bodinaku, që shembi “murin shqiptar të Berlinit”.
“Foshnja” e Demokracisë sot është 31-vjeç dhe nuk mendon të largohet nga Shqipëria, kjo falë edhe përpjekjeve të palodhura të babait të tij, që pas disa viteve pune në Gjermani, u kthye dhe qëndron në Atdhe, sepse qëllimi i tij është që Rikeli të vazhdojë të punojë dhe të ndërtojë të ardhmen e sigurt europiane në Shqipëri, së bashku me të gjithë gjeneratën e tij.
Ky duhet të jetë qëllim i përbashkët dhe angazhimi i të gjithëve sot në këtë 2 Korrik!”, shkruan Meta.
