Banorët e fshatit Bushkash në Njësinë Administrative Ulëz në Bashkinë e Matit nuk do të përballen më me gropa në rrugën e fshatit të tyre që i lidh ata me rrugën nacionale Skuraj-Burrel. Prej ditësh ka nisur asfaltimi i këtij aksi rrugor që përfshin gjithë fshatin Bushkash.
Duke parë nga afër ecurinë e punimeve kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, tha se ky ka qenë ndër projektet e para për këtë fshat që po vendoset në zbatim, në kuadër edhe të statusit të tij që është një nga “100 fshatrat turistik” të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Malaj tha se në planet e bashkisë që ai drejton janë edhe asfaltimi i rrugëve të fshatrave të tjerë në bashkinë e Matit, për të lehtësuar kështu aksesin e banorëve të zonave rurale me zonat urbane.
Banorët e këtij fshati falenderuan Qeverinë, bashkinë e Matit dhe kryetarin e saj për kujdesin e treguar për qytetarët e kësaj treve ku pritet të jetësohen projekte të tjera shumë të rëndësishme.