Pas shumë dekadash pritje, Shqipëria bëri realitet ëndrrën e mijëra tifozëve duke u kualifikuar për në Europianin e vitit 2016, Europian në të cilin skuadra drejtohej nga Xhani De Biazi. Kur kanë kaluar më pak se 3 vite nga ai Europian, Shqipëria ndodhet në një situatë krejt të errët ku në ndeshjen e parë eliminatore ndaj Turqisë u mund, ndërkohë që ndaj Andorrës fitoi pastër 0-3, por nuk bindi aspak në lojë.
I sakrifikuari i Turqisë, ishte trajneri Kristian Panuçci që për tifozët nuk ka qenë asnjëherë arkitekti, shpresa apo ndoshta trajneri i thjeshtë që mund të bënte diçka të bukur. Panuçi erdhi si bast, por iku me dështim dhe kjo ka bërë që tifozët t’i rikthehen edhe njëherë kujtimeve, atyre të vitit 2016. Kur i kthehesh atyre emocioneve, nuk mund të harrosh De Biazin dhe tifozët që para pak kohësh kërkonin largimin e tij se u mundëm nga Spanja dhe Italia, sot mendojnë ndryshe.
De Biazi ka nisur një projekt që ka të bëjë me shkollat e futbollit për fëmijët dhe në rrjetin social ‘Instagram’ të shumtë kanë qenë tifozët të cilët kanë qenë pak të interesuar në lidhje me atë që kishte si projekt De Biazi, por kanë kërkuar rikthimin e tij në Kombëtare, duke e konsideruar legjendë, hero dhe besimplotë se mund të jetë edhe njëherë personi që do të përsërisë historinë.