34-vjeçari Michael Zanera është një prej pesë punëtorëve që humbën jetën në tragjedinë në Brandizzo, teksa u shtypën nga treni i linjës.
Ai punonte si saldator që nga viti 2019 për Sigifer. Pak para se të ndodhte tragjedia, i riu kishte postuar në TikTok një foto gjatë punës, ku në momentin kur saldonte shinën e hekurudhës është shfaqur imazhi i një kryqi.
“Është hera e parë që më ndodh kjo. Teksa po balancoja hekurudhën, doli një kryq. Zoti kërkon patjetër të më thotë diçka edhe pse kohët e fundit e thërras dhe i lutem çdo ditë sepse nuk po kaloj kohë të mira”, shkroi Michael.
Fotoja e postuar është bërë virale në rrjetet sociale, pasi është dukur si një parandjenjë. I riu e mori atë si një përgjigje për periudhën e vështirë që po kalonte dhe kurrë nuk do ta imagjinonte se do të ishte mesazhi i tij i fundit.

