Pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve, kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me presidentin francez, Emmanuel Macron, vlerësoi rolin e tij në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij, ku së pari u shpreh i lumtur, Rama tha se procesi i integrimit në Bashkimin Europian, nuk do duhet të pengojë ribashkimin e Europës. Për rrjedhojë, kreu i qeverisë shqiptare tha se në këtë drejtim Macron ka një rol mjaft të rëndësishëm.
“Vizitë për të thelluar më tej marrëdhënien mes Francës dhe Shqipërisë, që kanë njohur një zhvillim të papritur dhe të shumë pritur në vitet e fundit si rezultat i një riangazhimi të Francës në rajon përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të presidentit në kërkim të një marrëdhënieje shumë më konkrete dhe produktive për BE dhe Ballkanin perëndimor, një marrëdhënie që duhet të tejkalojë procesin tradicional të BE dhe që të jetë në gjendje t’u japë vendeve mundësinë e Bashkimit Europian, pa rënë në kurthin traditës së procesit të integrimit që në këndvështrimin tim, por jo vetëm duhet të vazhdojë në meritë, por jo të shndërrohet në ankth dhe pasiguri”, tha Rama.










