Jeta Kreshnik Bazes, 31-vjeç, nuk ka qenë shumë bujare.
Ai u braktis në shkallët e maternitetit 31 vite më parë, e ndërsa sot është në kërkim të prindërve biologjik. Megjithatë, edhe jeta në fshatin Kakruk të Kavajës me prindërit birësues, për të nuk ka qenë e lehtë. Ai është prej disa kohësh në konflikt të vazhdueshëm me fqinjët për një rrugë, madje këta të fundit e kanë kërcënuar me jetë dhe i kanë kanosur shtëpinë. Sikur kjo të mos mjaftonte, fqinjët e akuzojnë si autor të vrasjes së babait birësues, gjë të cilën Kreshniku e mohon kategorikisht në studion e emisionit “Pa gjurmë” në Report Tv. Ai tregon se babai i tij është vetëvarur.
“Nuk e kam vrarë unë babanë. Me të vërtetë mund të grindesha me të, po e them për herë të parë publikisht, për çështje të shkollës, por nuk e kam vrarë unë. Në fillim me xhaxhanë që ishte në Amerikë kishim një marrëdhënie shumë të mirë, por pas vdekjes së babait, ai u largua dhe kjo më bën të dyshoj”, tha Baze.
Për shkak të këtyre kërcënimeve, Kreshniku me nënën e tij është detyruar që të largohen nga shtëpia e tij dhe kanë marrë urdhër mbrojtje nga Agjensia “Stop Krimit”. “Gjithë këtë që unë ngrita sot, e bëj për nënën time se 62 vjeçe të lërë banesën dhe ka frikë të kthehet në shtëpi”, tha ai.
Ndërkohë ai kërkon tashmë prindërit biologjikë. Baze ka dhënë disa detaje që sipas tij mund të vijnë në ndihmë për të gjetur prindërit e tij, nëse janë gjallë. Kreshniku është ndalur tek një episod i ndodhur në vitin 2007, kur ai ishte kamarier në një restorant në Kavajë, ku një i moshuar për të cilin ai dyshon se është gjyshi i tij e ka përqafuar, i ka lënë bakshish dhe i ka thënë “Gëzohem që je mirë. Mos më merr për Kavajës se nuk jam, por jetojmë në hyrje të Kavajës”…fjalë këto që Kreshniku i ka marrë si mesazh.
Ai dyshon se origjina e tij nuk është nga Skrapari, por nga veriu i Shqipërisë ose Kosova, dyshime këto të ardhura për shkak të disa episodeve të shkurtra nga e kaluara dhe kërkimeve të tij personale. “Babi im birësues ka punuar në ato vite në Luz të Kavajës dhe më ka thënë para se të ndërronte jetë më tha “kur kam punuar çoban më ka thënë që gjyshi yt ka një karburant në hyrje të autostradës së Kavajës”. Unë jam i bindur që ai ishte gjyshi. Se nuk interesohet familja e babit, por e nënës. Sot ai duhet të jetë diku te 80-ta”, tha Kreshniku.
Sakaq, gjatë transmetimit të emisionit, ka mbërritur një telefonatë nga një zonjë në Kavajë, e cila deklaron se ka informacion mbi prindërit e Kreshnikut. “Unë jam bij në Kavajë. Gjon Preni është nga veriu ka punuar në pulari dhe Elsa është e shoqja, ka tre fëmijë. Dy djemtë punojnë në Gjermani, dhe një vajzë, Marjana Luka jeton në Greqi. Kjo e fundit është mamaja e Kreshnikut”, u shpreh ajo. Por kjo telefonatë nuk e entuziasmoi Kreshnikut pasi tha se ishte i bindur që nuk ishte Marjana nëna e tij, sepse i kishte bërë më herët verifikimet. Madje rrëfeu se Marjana kishte ardhur në Shqipëri, për të bërë analizat e ADN-së, por ishte tërhequr papritur, çka ka ngritur dyshimet tek Kreshniku.