Një djalë 18 vjeç, me aftësi të kufizuara, ka rënë pre e një abuzimi seksual nga fqinji i tij. Ngjarja ka ndodhur në Elbasan, disa ditë më parë, ndërsa autori i shpallur në kërkim prej katër ditësh ka humbur kontaktet me familjarët e tij.
Nëna e 18-vjeçarit, Bukuri Binjaku, tregon sesi Policia nuk mori asnjë masë, pavarësisht dëshmisë së djalit të saj. Ngjarja, sipas saj, ka ndodhur të shtunën e kaluar. Pasi ishte kthyer në shtëpi duke qarë, djali i rrëfeu abuzimin e kryer ndaj tij nga 42-vjeçari, Altin Hida, baba i dy fëmijëve.
“Oficerja na tha se nëse gënjenim për deklaratën, atëherë do të na arrestonin. Po si mund të gënjeja unë kur e pashë vetë djalin në atë gjendje”, rrëfen Bukuria. Sipas saj, djali ka lindur me aftësi të kufizuara dhe kalonte shpesh te rruga ku 42-vjeçari shiste banane.
“Të shtunën pasdite, Altin e ka marrë djalin tim dhe e ka dërguar në shtëpinë e tij me arsyetimin për ta ndihmuar për transportin e kutive të bananeve dhe e ka përdhunuar. Altini shet banane. Djali erdhi në shtëpi nga ora 16:30 duke qarë dhe më tregoi. Lajmërova burrin tim dhe ai u nxeh, duke më thënë pse nuk më the më përpara që ta kapja për fyti. Pastaj shkuam në komisariat. Sapo firmosi deklaratën, Altini ia futi vrapit. Na thanë se do të bëjmë analizat e djalit në Tiranë dhe përgjigjja ka dalë se ai e ka kryer aktin. Policia na tha se do ta ndjekim si çështje. Gruas se vet, Altini i kishte thënë se do të mbyste veten. Ne duam drejtësi dhe të dalë e vërteta”, shprehet 51- vjeçarja.
Para Policisë ka dhënë deklaratë dhe i abuzuari. 18-vjeçari ka rrëfyer në prani të psikologes se 42- vjeçari ka abuzuar seksualisht me të. Ai ka treguar se Altinin e njihte prej kohësh dhe sillej mirë me të.
“Të shtunën mbasdite ai më tha të shkoja me të te shtëpia e tij. Mendova se aty kishte dhe fëmijët dhe ika. Kur hyra te shtëpia e tij, ai mbylli derën. Pastaj më përdhunoi. Kisha frikë, nuk bëra asgjë”, ka pohuar adoleshenti, i cili ka shtuar se, babai i dy fëmijëve i kishte dhënë 300 lekë të rinj dhe një banane pas aktit abuziv, duke i kërkuar që të mos tregonte në shtëpi.
Bashkeshorja: Familja e djalit më kërkoi para
Babai i dy fëmijëve është me një ekonomi të rrënuar. Prej vitesh tregton banane përballë Policisë dhe asnjëherë nuk ka shfaqur shenja të tilla perversiteti. Të paktën kështu pohojnë fqinjët që e njohin. Ilirjana, bashkëshortja e tij, ende nuk e beson që burri i saj të ketë kryer një akt të tillë.
Ajo thotë se familjarët e djalit i kanë kërkuar para për të tërhequr denoncimin. Ilirjana thekson se nëse bashkëshorti i saj është fajtor, le të dënohet, ndërkohë që prej katër ditësh ajo nuk ka asnjë kontakt me të dhe nuk e di se ku ndodhet.
“Kam shkuar te familja e djalit dhe u kam thënë që nëse është e vërtetë, ta fusin në burg. Burrin, pasi e kanë marrë në pyetje, e kanë lënë të lirë. Kam katër ditë që nuk kontaktoj me atë. Nëna e djalit më kërkon lekë që të tërheqin denoncimin. Nuk besoj që burri im ta ketë bërë këtë. Nëse është e vërtetë, ta fusin në burg. Ta gjejnë se nuk e di çfarë ka ndodhur. Për çfarë më kërkojnë lekë mua? Dua që të gjejnë burrin dhe nëse ka bërë gabimin, ta fusin në burg”, shprehet ajo. /panorama