Ministri francez për Çështje Europiane Clément Beaune ka mbështetur hapjen e negociatave për Tiranën dhe Shkupin brenda muajit Qershor. Franca beson se BE ka përgjegjësi për t’i dhënë perspektivë të qartë Tiranës edhe Shkupit për procesin e anëtarësimit.
“Për sa i përket vendimarrjes për hapjen zyrtare të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka patur shenja pozitive në diskutimet dypalëshe që po zhvillohen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Unë kam qenë vetë personalisht në Sofje për të nxitur procesin”.
“Nëse do të kemi rezultate konkrete në javët në vijim presidenca franceze do të mbështesë etapat e mëtejshme. Nuk mund të them tani se do të hapim ose jo negociatat. Shpresojme ta tejkalojmë këtë pengesë dhe ta shtyjmë përpara procesin e zgjerimit të BE-së”.
Në draft-konkluzionet e diskutuara nga ministrat, ndër të tjera thuhet se bisedimet e anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën pritet të hapen “sa më shpejt” .
Fillimisht zyrtarët europianë do të përpiqen të aprovojnë kornizën negiciatore, por shanset që Shqipëria e Maqedonia e Veriut të marrin dritën jeshile janë të pakta sepse qeveria e re në Bullgari nuk ka ndryshuar ende qëndrimin për veton ndaj Shkupit.
