Analisti i njohur, Frrok Çupi e cilëson protestën e mbajtur këtë të shtunë nga ish-kryeministri Sali Berisha si dështim, për aq kohë që kreu i “Foltores” premtonte se ajo do ishte revolucion që do të përmbyste kryeministrin Edi Rama. Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Çupi theksoi se Berisha thirri protestën për të sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Qëllimi i protestës së Berishës ishte që të shkarkohej kryeministri dhe qeveria e tij dhe nuk është dëgjuar që kryeministri të jetë shkarkuar deri më tani, që do të thotë se deri në këtë pikë nuk ka arritur asgjë. Qëllimi tjetër i Berishës është arritur dhe qëllimi i tij është të mbledh disa njerëz dhe të tregojë se ka popullaritet kundër SHBA dhe vendimit të shpalljes “non grata” në SHBA. Ky qëllim sigurisht që minimizohet, por arrihet. E treta, ne realisht ne po kuptojmë që Berisha po arrin një qëllim kundër shoqërisë, po arrin që kuptojmë se protestat po degradojnë. Për pak kohë, fjala protestë, do të jetë fjalë turpi”, deklaroi ai.
Protestë për të mbrojtur Shkëlzenin
Më tej analisti Frrok Çupi shprehet se Sali Berisha e thirri protestën për të treguar se ka mbështetej, gjë që sipas tij, rezultoi mashtrim. Madje, zoti Çupi theksoi se tubimi u mbajt për të mbrojtur familjen “Berisha” nga telashet që e presin nga drejtësia. “A e dini ju se çfarë qëllimi ka. Çështja “McGonigal” është e qarta, ajo i takon një institucioni drejtësia amerikane, nëse do të ishte kështu atëherë Berisha duhet të bëjë protesta për luftën në Vietnam. Në rastin çështjen McGonigal, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë. Ku është kauza? Kauza është kjo, Sali Berisha me mendjen e tij i thotë SHBA që kam ca njerëz rrotull, unë të prish stabilitetin në Rajon. Shqiptarëve po i thotë, se korrupsion prej 30 vitesh po e përdor për të sulmuar demokracinë. Berisha është minus i demokracisë dhe është problem për vendin. Kauza e tij është të mbrojë familjen e tij kriminale. Ai mbledh ca njerëz, si kriminelët, për t’u dëmtuar nga ligji. E patë Shkëlzenin në protestë, ai e drejtonte protestën. Ai po mbron veten nga burgu. Ne shqiptarët po kthehemi një eksperiment ndaj krimit”, u shpreh ai.
Tubimi para Parlamentit
Ndërkohë analisti Frrok Çupi është shprehur se nuk pret asgjë nga protesta e thirrur ditën e hënë, pra sot para Parlamentit, nga ish kryeministri Berisha. Çupi theksoi se e hëna do të jetë një ditë normale dhe e qetë, pasi sipas tij, Berisha nuk ka më kapacitet për të mbledhur njerëz dhe për të krijuar trazira, kjo dhe për meritë të SHBA-ve, e cila sipas Çupit ka marrë përsipër për të pastruar vendin nga kriminelët si Berisha dhe djali i tij Shkëlzeni. “Unë pres që të jetë një ditë e qetë e hëne. Pres që qeveria e Shqipërisë pasi është rrëzuar 90 herë në këto 9 vite, të rrëzohet të hënën për të 91 herë. Përtej ironisë, pres që ditën e hënë, të ketë një jetë normale dhe asgjë. Kapacitetet e Berishës në vend kanë vdekur. Nuk ka më kapacitet për të krijuar trazira. Ne jemi një vend që ka marrë kujdestarinë nga SHBA për të pastruar vendin nga kriminelë si Berisha dhe djali i tij. Shkëlzeni dhe Saliu mbahen në jetë vetëm nga media, nuk kanë asgjë tjetër. Nuk vlejnë, janë pa vlerë, janë njerëz pa vlerë. Nëse do të sulmojë dikush Parlamentin atëherë le ta provojnë”, nënvizoi analisti Frrok Çupi.
