Kandidati i Sali Berishës për bashkinë e Lushnjës, Elton Bano ka reaguar pas kërkesës së PD-së drejtuar KQZ-së për verifikimin e tij, pasi sipas tyre, ka fshehur një dënim për vjedhje në Britaninë e Madhe duke mos e deklaruar në formular ashtu siç e parashikon ligji. Elton Bano ka mohuar akuzat, duke u shprehur se PD po shpif për të përbaltur emrin e tij.
Bano thotë se sulmi politik është një sulm personal që padyshim do ndiqet në rrugë ligjore për shpifje dhe prishje imazhi parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.
Reagimi i plotë
Unë, Elton Bano kandidat i koalicionit ‘’Shtëpia e Lirisë’’ për bashkinë Lushnje dua fillimisht të falenderoj çdo bashkëqytetar lushnjar, çdo përkrahës, të rinj dhe të reja, burra dhe gra që i jeni bashkuar fushatës time në mënyrën më profesionale të mundshme.
E ndjej që sot për herë të parë të reagoj për një shpifje dhe baltën që po mundohen të hedhin mbi mua për të disatën herë rradhazi. Lushnja dhe bashkëqytetarët e mi më njohin dhe e dinë se mua nuk më përndjek asnjë e shkuar e errët, e dinë se misioni politik që kam ndërmarrë në të vërtetë është një mision për qytetin ku jam lindur dhe rritur, shkolloj fëmijët dhe bashkëjetoj më prindërit e mi tashmë në pension.
Përgjigja ime nuk i drejtohet as Gazrave të cilët vijnë ende aromë kimikatesh nga ato që sulmuan demokratët në 8 Janar, e as personit që me pantallona të shkurtra në 20 Shkurt rrëzoi bustin e Enver Hoxhës. Unë i drejtohem të gjithë qytetarëve të ndershëm lushnjarë, prindërve dhe fëmijëve te mi.
• Deklaroj se nuk kam qenë kurrë i dënuar për asnjë vepër penale në asnjë nga shtetet ku kam qëndruar, ndryshe nga kandidatët e Bravës.
• Deklaroj se në Angli kam jetuar si çdo emigrant i këtij vendi dhe kam poseduar leje qëndrimi që më lejonte të shkoja e të vija deri në vitin 2010.
• Deklaroj se të gjitha portalet gjobëvënëse në posedim të krimit, qeverisë apo Bravës do marrin përgjigjen e merituar në 6 Mars e do të përgjigjen para ligjit.
Tentativa juaj e pashpresë për të përbaltur emrin tim do të shkërrmoqet ashtu si është shpërbërë kredibiliteti juaj tek qytetarët lushnjarë.
Ju bëj me dije dhe ju këshilloj që mijëra eurot të cilat i shpërdoroni duke krijuar filma mbi jetën time t‘i përdorni për kauza sociale e bamirësie.
Pavarsisht çdo tentative të bërë deri tani, pavarsisht dëshirës tuaj të dëshpëruar për të penguar fushatën tonë model, të pastër, të ndershme duke trokitur derë më derë, duke u ulur përkrahë qytetarëve të cilët nuk kanë nguruar të na shohin dritë shprese dhe ndryshimi, pavarsisht çdo gjëje të keqe që po planifikoni në dëshpërim e sipër nga humbja e thellë, unë nuk mund të lejoj të luhet pisët me emrin tim nga disa të pafe që politikën nuk e shohin si diçka tjetër veçse zhvatje e popullit shqiptar dhe përfitime personale.
Sulmi politik i sotëm për mua është një sulm personal që padyshim do ndiqet në rrugë ligjore për shpifje dhe prishje imazhi parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.
Përgjigjen sot po e jap për personin më të rëndesishëm në jetën time, që sot e kam larg vetes në vendin ku po kurohet, që ju po prap nuk hezituat ta përdornit për shpifjet tuaja.
Zemra e babit, sa gjysmën e guximit dhe forcës tënde të kishin këta mjeranë, Lushnja dhe Shqipëria nuk do ishin në këto kushte.
Rroftë demokracia! Rroftë Shqipëria! Rroftë Lushnja dhe lushnjarët!
