Mariglen Ruçi, i riu shqiptar që humbi jetën në mënyrë shumë misterioze në Britaninë e Madhe në Thorndon Gardens, la pas misterin sesi u shkaktua kjo tragjedi. Mister mbetet fakti se përse nuk është raportuar për vdekjen e shqiptarit. Sipas “Getsurrey.co.uk”, fqinjët u tmerruan pas zbulimit të trupit brenda shtëpisë. Për këtë ngjarje policia ka vënë në pranga një 44-vjeçar, i cili ndodhet në paraburgim.
Jenette Banton thotë se u zgjua natën nga flakët. “Ishte rreth orës 1:30 kur e fika dritën për të shkuar në shtrat. Pak para orës 2 të mëngjesit, tërhoqa perden mbrapa dhe hodha një vështrim dhe gjithçka që pashë ishte flakë kudo. Policia erdhi një orë më vonë”. Një tjetër person që jeton në zonë, tha se është vërtet e çuditshme sesi u shkaktua zjarri, sepse ka qenë gjithmonë një zonë familjare.
Trupi i pajetë u gjet brenda banesës ku ishte punësuar për të ruajtur bimët e kanabisit, ndërsa për ngjarjen është arrestuar një 44-vjeçar, si i akuzuar për incidentin që mund të ketë shkaktuar zjarrin.
24-vjeçari në të shkuarën ka luajtur si futbollist në disa skuadra në vend. Që në moshë të vogël, Marigleni ka qenë futbollist për skuadra si: Tomorri, Bylisi, Apolonia, Dinamo, Luftëtari apo Vlora. Futbolli në Shqipëri nuk i hapi dyert të riut, e mesa duket, si shpëtim, Marigleni pa Anglinë dhe lëndët narkotike, si mënyrë e shpejtë për të fituar para.
