Këtë të shtunë mijëra persona janë mbledhur në rrugët e Gondomarit, pranë qytetit të Portos, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Diogo Jotës. Ai humbi tragjikisht jetën në një aksident automobilistik bashkë me vëllain e tij, André (25 vjeç).
Dy arkivolet u transportuan nga kapela funerale në kishën famullitare të qytetit. Brenda u lejohej hyrja vetëm familjarëve dhe miqve të ngushtë, ndërsa ceremonia u transmetua drejtpërdrejt jashtë për mijëra pjesëmarrësit që kishin ardhur të bënin homazhe. Ndër të pranishmit ishte edhe menaxheri i njohur Jorge Mendes, kapiteni i Manchester City-t dhe bashkëkombësi i Jotës, Bernardo Silva, si dhe një delegacion i plotë nga Liverpool, me kurora lulesh në formën e fanellave me numrat 20 (për Diogon) dhe 30 (për André).
Bashkëshortja e veshur me të bardha dhe duke mbajtur një trëndafil të kremtë në dorë, qëndronte pranë arkivolit të bashkëshortit, e mbështetur nga familjarët mes skenash të thella emocionale. I pranishëm në varrim ishte edhe Ruben Neves, ish-shok skuadre i Jotës te Wolves dhe Porto, i cili udhëtoi nga SHBA me avion privat për të marrë pjesë në ceremoni, vetëm një ditë pasi kishte luajtur në Kupën e Botës për Klube me Al Hilal.
Ai dhe Cancelo nuk arritën të përmbanin lotët gjatë minutës së heshtjes. Nga ceremonia nuk kaloi pa u vënë re mungesa e Cristiano Ronaldos. Pavarësisht mesazhit të tij ngushëllues në rrjete sociale.





