Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20 %. Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjete sociale pamje nga fushat e punuara të Myzeqesë, ku çdo vit e më shumë shtohen sipërfaqet e mbjella me drithëra e kultura të tjera bujqësore. “Me një copëz panorame nga fushat e Myzeqesë, ju uroj një javë të mbarë”, shkroi kryeministri.
Investimet për rehabilitimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit kanë ripërtërirë sipërfaqe të tëra tokash bujqësore, ndërsa skemat mbështetëse nga qeveria kanë nxitur fermerët të shtojnë sipërfaqet e mbjella. Falë punës kolosale të bërë në gjithë këto vite për rehabilitimin e sistemit kullues e vaditës, në zonën e Myzeqesë ka më shumë kanale të riaktivizuara, më shumë toka të ujitura dhe më shumë prodhime cilësore.
Përveç investimeve në bujqësi, skema e naftës falas dhe masat e mbështetjes për fermerët, i kanë dhënë mundësi fermerëve të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit, aq më tepër në këtë periudhë të vështirë të krijuar nga rritja e çmimeve të mallrave të importuara.
