Nga Hasan PASHA *
Rrethanat e reja politike kanë sjellë një moment të veçantë për Bashkinë e Matit. Pas kalimit të ish-kryebashkiakut Agron Malaj në Kuvendin e Shqipërisë, si rezultat i një mbështetjeje masive nga qytetarët e Matit, Dibrës dhe Bulqizës, ne ndodhemi sot në prag të një fushate tjetër zgjedhore, një mundësi për të thelluar suksesin dhe për të forcuar më tej besimin që qytetarët na kanë dhënë.
Më 9 Nëntor 2025, Mati do të jetë ndër 6 bashkitë ku qytetarët ftohen të votojnë për kryetarin e ri. Ne nuk e kemi nisur këtë rrugëtim sot, përgatitjet kanë qenë të hershme, serioze dhe të organizuara. Investimet madhore që janë bërë në infrastrukturë, shërbimet dhe zhvillimi lokal janë prova më e qartë e vëmendjes së veçantë që qeveria i ka kushtuar trevës sonë. Këto nuk janë fjalë, janë punë të prekshme që flasin vetë.
Partia Socialiste ka punuar për të sjell në drejtim një brez të ri, të përgatitur dhe me integritet: ekonomistë, juristë, mësues, mjekë, inxhinierë, profesionistë të fushave të ndryshme që kanë vizion dhe vullnet për të çuar përpara projektet e mëdha për Matin. Janë njerëz që vijnë për të kontribuar me dije dhe përvojë.
Ne do të kishim mirëpritur një garë të vërtetë, ku edhe kandidatët e opozitës të sillnin ide, platforma të qarta dhe figura me kontribute për komunitetin. Por fatkeqësisht, ajo që po shohim është një fushatë e zhurmshme vetëm në rrjetet sociale, e shkëputur nga realiteti i qytetarëve, dhe shpesh e mbushur me shpifje e baltë, një qasje që nuk i shërben demokracisë, as zhvillimit të Matit.
Kur opozita i thotë njerëzve të vet “rrini këtë herë”, kur nuk arrin të organizojë as komisionerë për qendrat e votimit, ajo tregon qartë se nuk ka struktura reale në terren, e jo më platformë për qeverisje lokale.
Për ne, socialistët, kjo nuk është më një garë me opozitën, është një garë me vetveten. Qëllimi ynë nuk është thjesht fitorja, por thellimi i saj, forcimi i çdo qendre votimi, përfshirë edhe ato pak fshatra ku rezultati nuk ka qenë maksimal në zgjedhjet e fundit. Kjo është një betejë për më shumë besim, për më shumë angazhim dhe për një të ardhme më të sigurt për Matin.
Jemi të bindur se me përgatitjen që kemi bërë, me strukturat që kemi ngritur dhe me mbështetjen që ndjejmë çdo ditë nga qytetarët, rezultati i 9 Nëntorit do të jetë një sukses i plotë, një rezultat yll fare!
Kryetar i PS-së Mat
