Flet aktori i njohur i humorit Rezart Veleshnja: “Nga “Portokallia” dolën më pas disa derivate e u bënë të njohur shumë aktorë. Mësuan të gjithë aty tek ajo shkollë e madhe. Por “Portokallia” mbetet spektakli numër një i humorit në Shqipëri. Është një institucion humori, do ta quaja, i kompletuar dhe i plotësuar nga të katër anët, duke filluar nga regjia e deri tek skenaristët që ka brenda saj. Unë jam shumë krenar që jam pjesë e “Portokalli”.
Rezart, ka një histori vënia e emrit tënd?
Emrin ma ka vendosur bashkëshorti i hallës time, i cili nuk jeton më sot. Rezart, pra reze art. Ne jemi dy fëmijë, unë kam një vëlla më të madh, me dy vite. Ai ka një profesion diametralisht tjetër nga i imi, punon në një filial të një kompanie të madhe dhe serioze dhe është fat që ai punon atje.
Ka ndikuar fakti që keni qenë shok loje bashkë, pra vetëm me dy vite diferencë, jeni rritur bashkë…
Më pëlqen që po i hyn me themel jetës time, nuk më ndodh shpesh. Ne kemi kaluar një fëmijëri shumë të bukur por edhe me shumë peripeci bashkë ha ha ha. Kemi qenë shumë të prapë si fëmijë, u kemi vënë flakën shumë shtëpive. Unë veçanërisht kam qenë shumë i prapë. Kujtoj ato furnelat e vjetra me vajguri, me fitila. Dikush më ngacmoi, më gjuajti, e vëllai bëri ca shigjeta vetë e u gjuante me flakë shtëpisë së atij që më goditi. Po t’i lëmë tani këto se del historia që kemi qenë shumë mistreca ha ha ha. Por unë i prapë jam akoma, nuk jam bërë akoma serioz.
Por kur ke nisur që të kuptosh rrugën tënde me humorin?
Unë kam filluar të bëj skeçe dhe imitime që kur kam qenë 5 vjeçar, pra shumë i vogël. Kam bërë një monolog të Parodistëve të Vlorës, “monologu i jaranit” quhej. Isha shumë i pasionuar pas daljes në skenë, pas daljes përballë publikut, adhuroja skenën. Kisha emocione shumë të forta. I lidhur shumë fort edhe me televizionin dhe programet që transmetoheshin aty.
Por e gjitha kjo erdhi rastësisht apo ka një ngacmim pas?
Në dritë të nxjerr vetëm talenti. Talentin ose e ke ose nuk e ke por sigurisht që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm fakti që babai im, Fatmir Veleshnja, ka qenë regjisor dhe skenarist i njohur, personazh që ka ngritur shumë personazhe të humorit që sot njihen nga publiku dhe janë në skenat tona. Ai vinte nga një brez mjaft i mirë i artit, me Mirush Kabashin, Kastriot Çaushin e të tjerë dhe babi më ka ndihmuar shumë. Por ndërkohë, në fillim, babai im ka qenë skeptik, nuk e kishte me shumë dëshirë që unë të dilja në skenë e të bëhesha aktor, në të kundërt, mamaja ime, edhe pse me profesion ekonomiste, e kishte me shumë dëshirë. Por edhe pse ai nuk e kishte me dëshirë, unë vetë e kisha me pasion të madh e nuk mendoj se do të më ndalonte dot asgjë që të bëja atë gjë që e kam me pasion. Ishte magjike për mua skena, ato momentet e para, kur merrja mikrofonin, për mua ishin spektakolare, e ndjeja si diçka shumë të veçantë.
Pas kaq shumë vitesh në skenë, vazhdon të jetë kështu për ty?
Tani përsëri kam emocione kur dal në skenë me një personazh të ri, duke pasur edhe mendimin se si do të pritet nga publiku. Por një pjesë e madhe e aktivitetit është bërë tashmë një punë për mua, një gjë normale, me një rrjedhojë lineare, si çdo punë.
Fëmijërinë e ke kaluar në Kuçovë?
Po, fëmijërinë e hershme e kam kaluar aty por më pas jemi vendosur në Tiranë sepse babai im ishte në lëvizje në ato vite. Drejtor kulture e regjisor dhe siç ishte në ato kohë, lëvizte shumë. Më merrte shpesh me vete e unë kam pasur fatin të rrija mes artistëve. Por nuk mendoj se kjo më ka bërë të kalitur për atë që jam sot. Kam përshtypjen që pasionin ose talentin duhet ta kesh brenda vetes. Edhe vëllai im njësoj si unë ka kaluar fëmijërinë mes artistëve por mori plotësisht profil tjetër në jetë.
Përpara gati 12 vitesh ti nise rrugëtimin me spektaklin “Portokalli”. Si ndodhi kjo?
Ka një histori shumë për të qeshur mbi këtë fakt. Kemi pas qenë një grup miqsh në shkollë të lartë, në Akademinë e Arteve, që luanim shumë, bënim edhe çapkënllëqe. Isha unë, Elvana Gjata, Jonida Vokshi. Elma Dorezi, Luli Hoxha, Olta Gixhari e të tjerë. Luanim në verë me kova uji duke lagur dynjanë, po me ato kovat ku mbahej lecka e pastrueses së shkollës, imagjino pisllëkun. Ishim ca kalamaj të shpif ha ha ha. Në një moment, s’e mbaj mend mirë, në ishte Elvana Gjata apo Jonida Vokshi, më gjuajnë me ujë, unë ul kokën dhe uji nga kati i dytë bie dhe dëgjohet një zë: “Kush e hodhi këtë ujin?”
Unë me shumë kujdes nxjerr kokën dhe shikoj Altin Bashën të cilit i kishin rënë syzet dhe po fshinte ujin e pisët të kovës së pastrueses. Altini ishte bashkë me profesor Gaz Gjokën. Ueeeee ka qenë fantastike sepse më tha: “Mbaje mend çfarë kam për të të bërë, kam për të ta nxirë jetën.”. Fati e donte që pas tre vitesh, dikush t’i thoshte Altin Bashës që të merrte Rezin sepse ishte shumë i mirë si imitues. Ku dinte gjë Altini që ai Rezi isha unë. Për fytyrë Rezi ishte ai i poshtri që i kishte hedhur ujin. Më bie një ditë telefoni e më thotë: “Përshëndetje, Altin Basha jam. A do të vish në “Portokalli?” Unë duke bërë si çun i mirë i përgjigjem. “Përshëndetje profesor, patjetër që do të vij!”. Të nesërmen shkoj dhe ishte e diel, hap derën e ai më thotë të dilja përjashta. “Unë jam Rezi!” E imagjinoni vetë se sa të qeshura pas kësaj. Që nga ajo ditë unë kam plot 12 vite që jam në mesin e aktorëve të spektaklit “Portokalli”. Sigurisht që kohët e para aty kanë qenë nga ditët e mia më të vështira sepse kërkonte shumë punë që të njohja të gjithë situatën që është shumë komplekse. Ishte aty një standard i ngritur me një kast aktorësh të kalitur. Ishin vitet kur “Portokallia” ishte në kulmin e saj, në ditët më të mira. Këtë dua ta theksoj, prej atij spektakli dolën më pas disa derivate e u bënë të njohur shumë aktorë. Mësuan të gjithë aty tek ajo shkollë e madhe. Por “Portokallia” mbetet spektakli numër një i humorit në Shqipëri. Është një institucion humori, do ta quaja, i kompletuar dhe i plotësuar nga të katër anët, duke filluar nga regjia e deri tek skenaristët që ka brenda saj. Pata vështirësi sa të merrja atë shpejtësinë, ashtu siç mëson biçikletën, pak nga pak, por tani jam në të njëjtin standard si të gjithë kolegët. Por sinqerisht unë jam shumë krenar që jam pjesë e “Portokalli”. Po aq sa jam krenar për familjen që kam, që më ka bërë atë që jam sot por edhe për miqtë e mi që nuk më lënë kurrë vetëm. Por siç jam krenar edhe për bionden time ha ha ha.
Po unë thashë të të lija të qetë nga ajo anë se kush rri e lexon lajmet rozë….
Nuk ka gjë se e preka vetë atë temë ha ha ha. Por nuk të jap më shumë informacion. Të them vetëm që jam krenar për bionden time, më saktë gjysmë bionde e gjysmë brune ha ha ha. Unë unazën në gisht nuk ja kam vënë askujt, pavarësisht se si çdo djalë kam pasur lidhjet e mia. Por lexoja lloj lloj lajmesh, por ja që krisma nuk ka pasur ha ha ha.
Kjo nuk përjashton faktin se mund të ndodhë një ditë…
Me ç’po na shohin sytë ha ha ha nuk përjashtohet ky fakt.
Është shumë e vështirë që të bësh humor, kur u shohin nga larg mendojnë se ju bëni gallatë, por sa e lodhshme është?
Skenaristi Jani Duri mbyll të gjithë pjesën e “nxehjes” siç quhet, nga editorialet e deri introt, që janë kryesoret. Ne kemi vetëm dy ditë kohë për të shkruar. Unë vetë shkruaj vetëm një skenar, maksimumi dy. Kohët e fundit tekstet e mia i ka shkruar kolegu im Florian Binaj. E kemi këtë gjë të mirë që mund t’ja shkruajmë skenarët njëri-tjetrit. Është edhe pak psikologjike kjo gjë, puna e tjetrit të duket më e lehtë, ke më shumë pasion sepse puna për veten të është bërë monotoni. Kam shkruar edhe tek personazhi i Betim Spërdhimës, edhe tek ai i Ardit Gjebresë ose tek Zonë Brryli. Por më tepër ka shkruar Flori. Shkruan shumë për personazhet e mia edhe Ledio Lako, shumë shkrimtar detajit e me sqimë, Erdit Asllani shkruan. Pra ka disa nga aktorët që shkruajnë. Portokallia ka shumë vështirësi, duhen vite që të merret linja e duhur. Por aktorët janë të konsoliduar, në përgjithësi. Të hënën kemi një shikim të aktualitetit në të gjitha fushat, në mbledhje me Altinin. Altin Basha, këtë dua ta theksoj, është një nga filtruesit më të mirë. Pa të, për mendimin tim, “Portokallia” do të kishte marrë fund. Ka shumë spektakle të tjera humori por që nuk kanë një Altin Basha në krye e ndaj nuk e kanë këtë standard që ka “Portokallia”. Mua sigurisht që rrogën nuk ma jep Altini, ma jep Vjollca Hoxha. I bie që t’i bëj furça Vjollcës por dua të them të drejtën për Altinin. Është një proces kompleks i yni, që lidhet edhe me kostumografin, grimin e të gjitha bashkë. Deri të mërkurën paradite materialet paraqiten tek Altini dhe ai bën filtrimin e fundit e kryesor. Në mënyrë që të mos dalim bajat e banal. Pas kësaj ka vetëm 24 orë kohë për rregullime e vijnë e premtja dhe e shtuna me prova gjenerale dhe shfaqje në mbrëmje. Pra besoj e kuptoni se sa proces i komplikuar dhe intensiv është edhe pse nga jashtë duket thjesht gallatë.
Mendon ti se jemi në nivelin e duhur me aktivitetet kulturore?
Nuk jemi kurrkund. Vetëm në Austri ke një rrugë me teatro dhe nuk di se në cilën shfaqje të shkosh më parë. Arti është ai që përfaqëson një vend ndërsa politikanët jo të gjithë mbahen mend. Por në Shqipëri është ende koncept i largët ky. Por kjo indiferencë e institucioneve ndaj kulturës nuk ka nisur sot. Unë kam kapur fundin e diktaturës por me sa di unë nga ajo kohë, ne kemi qenë nën efektin e “drogës” së famshme që si një gjilpërë gjigante në tru na kishte bërë shoku Enver, një injeksion në tru dhe gjithë populli drejt. Thonë sot që kemi pasur edukatë e kulturë, jo, ne kemi qenë nën frikë, nën diktat. Ndenjëm urtë se mund ta pësonim. Sot po trashëgojmë pikërisht ato mungesa në kulturë dhe edukatë, po vuajmë pasojat dhe kemi ende hijen e atij sistemi. Do të duhen ende shumë vite. Nuk bëhet revolucion kulturor vetëm nga pak elementë si ne, jemi një targetgrup shumë i vogël. P.sh në Shqipëri duhet filluar nga një Cirk profesionist, nga ata të mëdhenjtë, me spektakle madhështorë e të kompletuar sepse fëmijët fillojnë dhe e kalisin botën e tyre që nga cirku. Është shumë i rëndësishëm për brezin e ri. Edhe një teatër kukullash që kemi, e kemi kthyer në një institucion politik, me poste politike, nuk ka më lidhje me të bërit art për fëmijët.
Por personazhet e tua ndiqen aq shumë…
Sepse njerëzit janë të etur për humor dhe art por art nuk ofrohet. Duhet të kishte shumë shfaqje teatrore ose në opera. A ka të tilla? Jo. Nuk ka programe mujore të mirëfillta, priten premierat me muaj. Ja pse ministritë duhet të hedhin para për këtë. Ka vallë një sportist që institucionet tona e vlerësuan siç duhet? Po të mos ishte sektori privat, siç është rasti i “Portokallisë” nuk do të kishin artistët asnjë mbështetje.
Po me veten a e gjen kohën të merresh, në morinë e kaq shumë aktiviteteve që zhvillon?
Kemi një të mirë që kemi 6 muaj shfaqje e 6 muaj pushim. Besoj se deri në moshën 35 vjeçe do të mbaj ende pesha mbi vete. Ndërkohë unë gjej kohën dhe merrem me palestër por kam edhe një pasion të madh për muzikën. Në mënyrë autodidakte unë luaj në bateri dhe në kitarë. Ndonjëherë luaj edhe basketboll dhe biliardo. Dikur luaja ping-pong por tashmë më ka lënë dhe e kam lënë. Por të them sinqerisht, po merrem më seriozisht me veten, kam minimizuar alkoolin, kam shumë kujdes në të ngrënë. Kam marrë një edukatë shumë të rreptë në kulinari.
Po vetë a gatuan?
Po si jo, gatuaj shumë mirë kur kam nerva të qeta. Po të bëhet një emison se si gatuaj unë kam frikë se do të më admironin shumë vajza ha ha ha por e rëndësishme është që tashmë nuk më duhet të më admirojë asnjëra, kam vetëm atë, bionden time gjysmë brune.
Sa rëndësi kanë miqtë për ty?
Kanë shumë rëndësi. Kam shokë shumë të mirë, por që në përgjithësi vijnë nga bota e biznesit, nuk kanë lidhje me profesionin tim.
Ky pasioni yt për baterinë më ka habitur sepse pata rastin të të shikoj vetë duke luajtur…
Kam tetë vite që rri pranë baterisë. Në fillim nisi ashtu rrapa-zhgrapa, çohej Landi, bateristi i njohur nga bateria e unë atu, duke u përpjekur. Por tashmë them se kam arritur që të jem disi më i përgatitur. Kam përshtypjen se çdo njeri, po t’i hyjë perfeksionimit të pasionit të tij, arrin të mësojë.
Nga personazhet politikë që ke interpretuar, cilin ke më për zemër?
Atë të Erion Braçes sepse e arrij zërin gati të njëjtë me të, pot t’i bësh zërat tanë bashkë, është e vështirë t’i dallosh.
Të kanë shfaqur hatër-mbetje pas imitimeve të tua?
Është gjithçka pjesë e humorit dhe një aktor ka të drejtë që të përpunojë ose pasurojë figurën por pa prekur çfarë nuk preket. Kam pasur raste kur militantët janë inatosur me mua por asnjëherë vetë personazhet. Unë e kam takuar personalisht Sali Berishën dhe ai është shumë dashamirës, por militantët duan të marrin grada në sy të tyre. Kam qenë me Berishën në takim dhe më ka mahnitur, të jep një lloj energjie që nuk e kam kuptuar kurrë se si ta jep këtë energji të çuditshme. Këtë ma kanë mbështetur edhe shumë kolegë që e kanë takuar. Por humori është humor, ai është dashamirës, nuk të dëmton. Në Shqipëri nuk të vret njeri për fjalë, këtu të vrasin e të cenojnë vetëm po i preke xhepin dhe paranë, aty të këpusin. /Albanian Free Press