Gafa e francezëve që ngatërruan himnin në fillimin e ndeshjes me Shqipërinë ka bërë xhiron e mediave botërore dhe rrjeteve sociale në dy ditët e fundit, me komente nga më të ndryshmet e sigurisht edhe humor e tallje. Listës së atyre që kanë shfrytëzuar këtë moment për të bërë ironi i është shtuar edhe vetë Federata e Andorrës.
Edhe drejtuesit e kësaj të fundit kanë mbetur me siguri të çuditur kur kanë parë videot e asaj që kishte ndodhur në Paris, me himnin e Andorrës që u dëgjua në vend të atij të Shqipërisë. Nëpërmjet rrjeteve sociale, edhe nga Andorra kanë mbërritur batutat e rastit, me vetë Federatën e këtij vendi që ka bërë ironi për përballjen mes dy vendeve që zhvillohet të martën.
“Kaq shumë na e keni ndjerë mungesën? Rrini të qetë, e marta vjen shpejt”, ishte batuta e Federatës në adresën e saj zyrtare në Twitter ndaj homologëve francezë, duke postuar edhe momentin e lëmshit të madh që çuditi të gjithë botën, përtej futbollistëve kuqezi në fushë.