Kuvendi po kërkon një inspektor të ri për kontrollin e pasurive të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, kjo pasi Shkëlqim Ganajt i mbaron mandati, dhe ai nuk ka rikandiduar në garën e shpallur nga Parlamenti.
Në përfundim të mandatit 7 vjeçar, edhe pse nuk garon vetë, Ganaj do të ketë në garë një prej vartësve të tij. Mes aplikantëve bie në sy emri i Evgjeni Basharit, e cila aktualisht është Sekretare e Përgjithshme e Inspektoratit.
Në garë, janë dhe emra të njohur, si Eridjan Salianji, ish zv/ministër drejtësie në qeverinë socialiste, dhe përfaqësuesi zyrtar i PS-së në KQZ.
Postin e kontrolluesit të pasurisë së zyrtarëve e synon edhe Lefterie Lleshaj, ish kryetare e KQZ-së, aktualisht drejtoreshë në Kuvend. Pjesë e garës janë dhe tre zonja të tjera: Evis Fico, Helena Papa dhe Dhimitrulla Spiro.
Nesër mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila mund të vendosë të shtojë një seancë të posacme javën tjetër, ku mund të zgjidhet edhe kreu i ri i ILDKPIK-së.
Për kreun e ri të ILDKP-së Kuvendi zhvillon dy votime. I pari synon një konsensus me opozitën ndaj kërkon 84 vota. Por, nëse socialistët nuk i arrijnë numrat, nuk ka asnjë bllokim, sepse në raundin e dytë të votimit mjaftojnë 71 kartonë jeshilë për të preferuarin e mazhoracës.